Lajme
Supremja konfirmon vendimin e KGJK-së për suspendimin e gjykatësit Ylber Shurdhiqi
Demokracia
15:01 | 20 Prill 2022

Share:

Gjykata Supreme e ka konfirmuar vendimin e nxjerrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 10 mars 2022, me të cilin vendim ishte suspenduar nga detyra gjykatësi Ylber Shurdhiqi, gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil në Gjykatën e Apelit.

Sipas vendimit të marrë nga Gjykata Supreme më 12 prill 2022, rezulton se është refuzuar ankesa e ushtruar nga gjykatësi Shurdhiqi, ndaj vendimit të KGJK-së për suspendim e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me vendimin e KGJK-së, krahas suspendimit, gjykatësi Shurdhiqi thuhet se do të pranojë vetëm 50% të pagës mujore.

Në arsyetimin e këtij vendimit të Supremes, thuhet se vendimi i Këshillit për suspendimin e Shurdhiqit është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se i njëjti është në tërësi i bazuar në Ligj.

“Në një gjendje të tillë të çështjes, Gjykata Supreme e Kosovës, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm vendimin e ankimuar, pasi që i njëjti është në tërësi në Ligj i bazuar, dhe me këtë rast u pranuan si të bazuara të gjitha konstatimet faktike dhe juridike të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të precizuara në tërësi si në këtë vendim” thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Gjykata Supreme në këtë vendim gjen se përmes vendimit të KGJK-së, me të cilin është suspenduar gjykatësi Shurdhiqi, krijohen parakushtet që paneli hetimor mund të hetojë në tërësi çështjen në mënyrë objektive, duke pamundësuar çfarëdo ndikimi në procedurën disiplinore.

Pala ankimore, në ankesë kishte cekur se vendimi i kontestuar nuk përmban arsye për rrethanat konkrete që provojnë, seriozitetin e shkeljes së supozuar dhe pse suspendimi është i nevojshëm për të ruajtur “integritetin dhe efektivitetin e hetimeve”.

Mirëpo, edhe këto pretendime ankimore janë vlerësuar si të pabazuara nga Gjykata Supreme.

“Gjykata Supreme sikur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, konsideron se janë plotësuar 4 kushtet ligjore sipas nenit 2 të Ligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, me të cilin neni 12 paragrafi 9 i këtij Ligji riformulohet ashtu që gjatë procedurës hetimore, Këshillit i është dhënë mundësia ligjore që eksoficio ose me kërkesë të autoritetit kompetent i cili ka kërkuar fillimin e hetimeve të mund të suspendoj gjyqtarin ose prokurorin i cili është në hetime nëse një gjë e tillë është e nevojshme duke marrë parasysh seriozitetin e shkeljes së supozuar disiplinore dhe të sigurohet integriteti dhe efektiviteti i hetimeve”, thuhet tutje në këtë vendim.

Sipas këtij vendimi, Supremja pranon në tërësi konstatimin e KGJK-së në vendimin e ankimuar, se suspendimi i gjyqtarit nuk prejudikon mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe as përfundimin e procedurës, por e lehtëson procesin e hetimit disiplinor, andaj pretendim et ankimore të paraqitura në këtë drejtim sipas kësaj gjykate u vlerësuan si të pabazuara.

Ndryshe, KGJK në takimin e 280-të të mbajtur më 10 mars 2022 kishte vendosur për suspendim me pagesë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit dhe themelimin e panelit për këtë rast disiplinor.

Shurdhiqi ishte avancuar në Gjykatën e Apelit më 24 shkurt të këtij viti, pasi paraprakisht ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ende pa i mbushur një muaj si gjyqtar në Gjykatën e Apelit, konkretisht dy javë pas avancimit gjyqtari Shurdhiqi është suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme