Lajme
Supremja konfirmon vendimin disiplinor të KPK-së për degradimin e ish-kryeprokurorit Buzhala
Demokracia
17:55 | 01 Mars 2023

Share:

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, ndërsa ka vërtetuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), të marrë më 23 dhjetor 2022, me të cilin Buzhala ishte degraduar dhe ishte dërguar si prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Pejës.

KPK me këtë vendim kishte aprovuar raportin e panelit hetimor të 24 nëntorit 2022 në rastin disiplinor të ish-kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, duke vërtetuar se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 2, nënparagrafi 2.10 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Ndërsa, i është shqiptuar sanksioni disiplinor, transferimi i përhershëm në Prokurorinë Themelore në Pejë, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm.

Kundër këtij vendimi, Buzhala në afat ligjor ka paraqitur ankesë, duke e atakuar vendimin për shkak të zbatimit të gabuar të ligjit, shkeljeve procedurale të përcaktuara me ligj dhe gabimit faktik të qartë apo të dukshëm i cili ndikon në të drejtat substanciale të palës në qoftëse ndikon seriozisht në paanësinë dhe integritetin e procedurës, me propozim që Supremja ankesën e tij ta aprovojë dhe vendimin disiplinor të KPK-së të 23 dhjetorit 2022 ta anulojë ose çështjen ta kthejë në KPK në rishqyrtim, ose ankesën ta aprovojë në tërësi dhe vendimin e KPK-së ta ndryshojë duke e liruar atë nga përgjegjësia disiplinore, nëse e gjen përgjegjës ta ndryshojë masën disiplinore dhe t’i shqiptojë ndonjë masë shumë më të butë në pajtim me shkeljen e gjetur.

Ndërsa, KPK në përgjigjen në ankesë, kishte propozuar që ankesa e paraqitur të refuzohet, ndërsa vendimi i atakuar të vërtetohet.

Në vendimin e siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’, i cili rezulton të jetë marrë nga Supremja më 10 shkurt 2023, thuhet se nga shkresat e lëndës rezulton se KPK ka pranuar kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor me pretendimin se Buzhala më 13 korrik 2022 ka shpërndarë pyetje nga testi me shkrim që duhej të mbahej në të njëjtën ditë nga aplikantët për bashkëpunëtorë profesional në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.

Tutje thuhet se i njëjti, përmes WhatsApp-it, pyetjet e testit i kishte dërguar në adresë të gazetares A.A. dhe përmes komunikimin me telefon kishe kërkuar nga e njëjta që t’i fshijë pyetjet, duke theksuar se ishin dërguar gabimisht.

Ndryshe, Buzhala ishte suspenduar nga puna, një ditë pasi ishte raportuar lidhur me dërgimin e pyetjeve të testit.

Ndërkohë, më 30 shtator, KPK kishte refuzuar marrëveshjen për pranimin e përgjegjësisë disiplinore në mes të kryeprokurorit Buzhala dhe panelit hetimor.

Në këto rrethana, Gjykata Supreme ka vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik i KPK-së është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që i njëjti vendim nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe se drejt dhe në mënyrë të plotë është vërtetuar gjendja faktike dhe se drejt është aplikuar e drejta materiale, e që thuhet po ashtu se nuk është i përfshirë në shkelje tjera, të cilat i ka pretenduar pala ankuese me ankesë.

Tutje, në arsyetim të vendimit thuhet se gjykata nuk ka mundur të gjejë shkeljen e pretenduar të ankuesit në bazë të shkresave të lëndës se ka shkelje të nenit 13 të Rregullores nr.05/2019 apo ekzistimin e konfliktit të interesit rreth përbërjes së Këshillit, të cilën çështje ka theksuar se e ka ngritur në seancën e 23 dhjetorit 2022.

Për këtë pretendim, thuhet se gjykata zyrtarisht ka kërkuar nga KPK procesverbalin e kësaj seance, por që nga përmbajtja e tij nuk rezulton se ankuesi të ketë ngritur pretendime të tilla, ashtu siç pretendon në ankesë.

Po ashtu, në arsyetim të vendimit të Supremes thuhet se kjo gjykatë e vlerëson si të pabazuar pretendimin e ankuesit se nuk është vërtetuar se ai ka bërë shpërndarjen e pyetjeve të testit tek ndonjë kandidat që ka hyrë në test për bashkëpunëtorë më 13 korrik 2022.

‘‘Në këtë rast është vërtetuar se 11 nga pyetjet e testit me shkrim për provimin për bashkëpunëtorë profesional, që është dashtë të mbahet me datë 13.07.2022, përmes telefonit të kryeprokurorit të njëjtën ditë janë dërguar gabimisht te gazetarja, ku me këtë rast shtrohet çështja se si është e mundur që pyetjet e testit në telefonin e subjektit të hetimit të jenë të njëjta me pyetjet e testit për bashkëpunëtorë dhe të barten pikërisht ditën që është mbajtur provimi me shkrim”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Sipas kësaj gjykate, është me rëndësi veprimi i kryeprokurorit në raport me procesin e përzgjedhjes së bashkëpunëtorëve dhe imazhi që është krijuar në këtë proces në opinionin publik, pasi që pavarësisht nëse veprimet e tilla janë bërë me dashje apo nga pakujdesia, pozita e Buzhalës thuhet se është e natyrës që nuk lejon veprime të tilla ngase dëmtojnë institucionin, reputacionin e prokurorit dhe besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e prokurorit të shtetit.

Gjithashtu, bazuar në interpretimin e dispozitave ligjore mbi të cilat KPK i ka zbatuar për qëndrimin e tyre, sipas kësaj gjykate është bërë aplikimi i drejtë i të drejtës materiale dhe është konstatuar përgjegjësia disiplinore e Buzhalës, për çka edhe i është shqiptuar sanksioni disiplinor.

Supremja vlerëson se sanksionin disiplinor të shqiptuar e ka vlerësuar në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes është marrë parasysh serioziteti i shkeljes disiplinore të kryer nga ish-kryeprokurori, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, sjella e përgjithshme e prokurorit si dhe sjellja e bashkëpunimi i prokurorit në procedurë disiplinore, rrethana të cilat kanë ndikuar në gjetjen e nivelit të proporcionalitetit, në mes të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore.

Të ngjashme