Lajme
Supremja hedh poshtë kërkesën e mbrojtësit të Ivan Todosijeviq
Demokracia
16:23 | 10 Mars 2022

Share:

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë si të papranueshme kërkesën për përjashtimin e u.d. kryetarit të Gjykatës së Apelit të mbrojtësit të Ivan Todosijeviq, ish-deputet nga radhët e Listës Serbe, i akuzuar për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Mbrojtësi i Todosijeviq kishte kërkuar përjashtimin e trupit gjykues nga trajtimi i çështjes penale, përjashtimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, përjashtimin e u.d kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, si dhe ndërrimin e kompetencës së Gjykatës.

Ndryshe, kërkesat e lartpërmendura, mbrojtja e Todosijeviqit i kishte paraqitur në seancën e 11 shkurtit, në të cilën pritej të nis rigjykimi ndaj tij.

Sipas vendimit të Kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, në kërkesën për përjashtim mes tjerash në pasuesin e parë, parashtruesi konteston kompetencën e gjykatës dhe përbërjen e trupit gjykues.

“Duke u thirr në Marrëveshjen e parë të Brukselit, në të cilën në pikën 10 përcakton përbërjen e trupit gjykues me përbërje nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës duke konsideruar se kompetent për rastin konkret është Gjykata Themelore në Mitrovicë sipas nenit 3 paragrafi 2.5 lidhur me paragrafin 10 të marrëveshjes në fjalë”, thuhet në vendim.

Tutje, thuhet se në pikën 2 të kërkesës mbrojtja e përsërit kërkesën për përjashtim, e cila është vendos njëherë duke u thirr në aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në faqen 12 gjykata ka konstatuar se deklaratat dhe shprehjet të cilat janë përdor nga ana e ish-ministrit Todosijeviq, janë veprime fyese ndaj gjithë një populli.

“Duke cituar po ashtu faqen 17 të këtij aktgjykimi se “mohimi i kësaj masakre e sidomos etiketim i një populli të tërë me etiketimin gjakpirësit, terrorist definitivisht i rrezikojnë të drejtat e të tjerëve”, thotë vendimi.

Në vendim thuhet se sipas parashtruesit të kërkesës nga citimet e cekura, gjykata konsideron se i gjithë popull shqiptarë është fyer dhe është rrezikuar.

“Kështu që sipas tij i gjithë populli dhe secili individ i popullit shqiptarë është dëmtuar me këtë konstatim të gjykatës dhe për këtë arsye, meqenëse edhe gjyqtarët janë të dëmtuar konsideron se asnjë gjyqtar shqiptar nuk mund të gjykoj këtë lëndë”, thuhet në vendim.

Supremja ka gjetur se kërkesa e mbrojtësit të Todosijeviq është në kundërshtim me dispozitat e nenit 41, paragrafi 4 dhe 5 e Kodit të Procedurës Penale.

Në vendim thuhet se sipas paragrafit 4 të këtij neni, pala mund të kërkojë përjashtimin vetëm të gjyqtarit që e trajton çështjen.

“Në rastin konkret mbrojtësi në fjalë ka kërkuar përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të trupit gjykues në shkallë të parë por edhe të kryetarit të Gjykatës së Apelit”, thuhet në vendim, ku shtohet se për të cilin sipas ligjit Kryetari i Gjykatës Supreme është kompetent për të vendosur.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka konsideruar se kërkesa është në kundërshtim me bazën e paraparë ligjore.

“Sipas paragrafit 5 të nenit të lartcekur parashihet që pala detyrohet që në kërkesë të shënoj rrethanat në të cilat e mbështet pretendimin për ekzistimin e bazës ligjore për përjashtim, si dhe faktin se shkaqet e paraqitura në kërkesën e mëparshme për përjashtim, e cila është refuzuar nuk mund të paraqitet përsëri në kërkesë”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit, në rastin konkret Kryetari i Gjykatës së Apelit nuk është gjyqtar i çështjes dhe nuk ka ndonjë kompetencë në vendimmarrje.

“Kurse, rrethanat me të cilat mbrojtësi mbështet pretendimin për ekzistimin e bazës ligjore për përjashtim janë të përgjithshme e që siç u cek më lartë i referohen të gjithë gjyqtarëve në trupin gjykues në shkallë të parë, si dhe kryetarit të asaj gjykate, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, pretendime për të cilat është vendos edhe njëherë”, thotë vendimi.

Andaj, kryetari Peci ka konsideruar se nuk janë rrethana konkrete dhe individuale që ndërlidhen me kryetarin e kësaj gjykate siç kërkohet me dispozitat ligjore dhe si të tilla nuk paraqesin bazë ligjore për përjashtim, prandaj kërkesa është e papranueshme.

Ndryshe, Kolegji i Gjykatës Supreme, vitin e kaluar e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, ku Todosijeviq ishte dënuar me dy vite burgim nga gjykata e shkallës së parë, vendim të cilin e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Njoftimin për këtë e kishte bërë Gjykata Supreme përmes një komunikate për medie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit I.T., dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.20/2019 i datës 05.12.2019, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, APS.nr.7/2020 i datës 24.06.2021, dhe çështjen e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në komunikatë.

Ndryshe, Todosejviq ishte dënuar me dy vite burgim nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ky dënim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit në gusht të këtij vitit të kaluar.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhej se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tërësi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin ishte shpallur fajtor i akuzuari.

Apeli kishte vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore.

Ndryshe, Todosjeviq kishte qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, më 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme