Sport
Sulmuesit e Stivi Frashërit rrezikojnë dënimin me burgim për kaq vite
Demokracia
16:01 | 05 Prill 2022

Share:

Prokuroria Themelore në Gjilan me datën 03.04.2022, ka ndalur për 48 orë dy persona me inicialet F.R dhe B.K, të cilët janë të dyshuar për sulmin fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në ndeshjen e javës së 27-të kampionale të dielën që lamë pas.

Dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë në paraburgim për shkak të dyshimit se që të dy kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, raporton Demokracia.com.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me datë 03.04.2022, ka ndaluar për 48 orë dy persona, F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit me datë 03.04.2022 rreth orës 15.20h, në Gjilan, në Stadiumin e Qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja futbollit në mes të SC-Gjilani dhe KF Ballkani, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hyn në fushën e futbollit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri I pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke, tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F, i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Mirëpo, sa e parasheh dënimin me burgim kjo vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo vepër me të cilën janë ngarkuar dy personat B.K dhe F.R parasheh dënimin me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në lidhje me incidentin e rëndë në Gjilan ishin të arrestuar pesë persona, tre prej tyre më pas u liruan në procedurë të rregullt.

Stivi Frashëri u sulmua fizikisht nga dy persona të dyshuar gjatë minutave të fundit të ndeshjes, të cilët hyrën në fushë për të festuar golin e minutës së fundit të shënuar nga Enea Koliçi, duke shfrytëzuar rastin për të sulmuar portierin shqiptar.

Frashëri u dërgua me urgjencë në spitalin e Gjilanit për të marrë trajtimin e nevojshëm, derisa tek në orët e mbrëmjes u lirua dhe u dërgua në vendbanimin e tij./Demokracia.com/

Të ngjashme