Ernest Muçi ka gjetur golin e katërt në këtë sezon me Legian e Varshavës, që mposhti në shtëpi me rezultatin 2-0 Leczna.
Edhe pse nuk u preferua titullar nga minuta e parë nga trajneri serb Vukoviq, sërish ish-lojtari i Tiranës e gjeti mënyrën për t’u bërë protagonist.
Në minutën e 86, 20-vjeçari përmbylli me sukses një kundërsulm të Legias teksa përballë portierit kundërshtar nuk gaboi duke e dërguar me teknikë topin në fundin e rrjetës.
Ishte goli i dytë për të tijtë dhe në këtë formë, Legia vendosi në kasafortë kualifikimin për në gjysmëfinalen e Kupës ndërsa tashmë skuadra polake çon fokusin në kampionat teksa është në kuotën e 22 pikëve por mbetet në zonën e ftohtë të renditjes në vendin e 16.
Ndërkaq, në ndeshjen ndaj Leczna titullar për Legian ishte edhe një tjetër ish i Tiranës, teksa fjala është për Jurgen Çelhakën që u aktivizua për 70 minuta dhe pak nga pak është duke u shndërruar një busull të mesfushës së Legias.