Lajme
Sulmoi seksualisht nxënësen në kabinetin e shkollës, Gjykata merr vendim për mësuesin nga Peja
Demokracia
15:16 | 01 Prill 2021

Share:

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që t’i shqiptojë masën e dënimit prej tre vite e gjashtë muaj, mësuesit nga kjo komunë i cili ka sulmuar seksualisht nxënësen e tij.

Gjykata përmes një komunikate për media bën të ditur se rasti ka ndodhur në vitin 2019, dhe se i pandehuri fillimisht e kishte marrë në kabinet viktimën, në mënyrë që “t’i ndihmojë që t’i nxjerrë mungesat dhe statistikat e suksesit”, përcjell Demokracia.com.

“Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit e në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për të Mitur ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit XH.J për shkak se:

Me datë 27.12.2019 rreth orës 07:20 min, në Pejë, pikërisht në kabinetin e shkollës fillore, i pandehuri XH.J fillon që ta prek për qëllime seksuale nxënësen e tij të mitur, ashtu që i njëjti një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vije në kabinet me qëllim që t’i ndihmoj për t’i nxjerr mungesat dhe statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike pasi që arrin në shkollë, shkon në kabinet ku vjen pandehuri, i afrohet të miturës te banka dhe pa pëlqimin e saj e ngacmon, ku e mitura me forcë e shtyn të pandehurin duke e larguar nga vetja dhe me vrap del nga kabineti, shkon në shtëpi dhe njofton familjaret e saj.

Me këto veprime i pandehuri XH.J ka kryer vepër penale sulm seksual nga neni 229 par.3. nen par. 3.7 dhe 3.10 e lidhur me par. l të KPRK-së.

Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e gjashtë (6) muaj, të cilin dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit e në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të pandehurit, gjykata i shqiptoj dënim plotësues ndalim i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëqind (100) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë (50) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./Demokracia.com/

Të ngjashme