Lajme
Sulmohet stafi mjekësor në Ferizaj, arrestohet i dyshuari
Demokracia
21:23 | 19 Tetor 2022

Share:

Në njësinë emergjente të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, një mjek dhe një infermier janë sulmuar derisa ndodheshin në orarin e punës.

Policia ka arrestuar një person derisa drejtues të qendrës së mjekësisë familjare në këtë komunë kërkojnë masa më rigoroze ndaj atyre që sulmojnë stafin shëndetësor.

“Është e vërtet që kemi pasur sulm fizik. Ka qenë i momentit po shpresojë që më nuk do të ndodhin raste të tilla dhe kërkojë prej instancave të ndryshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe Odës së Mjekëve që ta marrin masa më rigoroze që të kemi një siguri më të madhe në ambientet e punës”, ka deklaruar mjeku i atakuar nga pacienti Muhamet Rushiti, i cili  kërkon që të ndërmerren masa për parandalimin e kësaj dukurie.

Në drejtorinë e QKMF-së në Ferizaj e kanë dënuar ashpër sulmin ndaj kolegëve të tyre dhe kanë kërkuar që sa më parë të ketë një ligj për mbrojtjen e personelit mjekësor.

“Nuk kemi si ta arsyetojmë raste të tilla. Duhet të hartohet sa më parë një ligj për mbrojtjen e mjekut dhe të stafit tjetër shëndetësor në vendin e punës”, ka deklaruar Nadire Ymeri, drejtoreshë e QKMF-së në Ferizaj.

Polica në Ferizaj vetëm e ka konfirmuar se në lidhje me rastin është arrestuar një person nën dyshimin se ” sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”. Për nesër stafi shëndetësor në Ferizaj ka paralajmëruar një protestë. /Rtk

Të ngjashme