Lajme
Sulmi terrorist në Banjskë, fillon shqyrtimi gjyqësor – lëshohen letër rreshtime ndërkombëtare për 42 të akuzuarit e tjerë
Demokracia
10:53 | 17 Prill 2025

Share:

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca gjyqësore për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku janë të akuzuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Të tre të akuzuarit janë paraqitur para trupit gjykues dhe do të dëgjojnë akuzat që rëndojnë ndaj tyre për terrorizëm dhe pjesëmarrje në grupin terrorist më 24 shtator të vitit 2023 që sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor tre akuzuarit Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar ndaj 42 të pandehurve të tjerë.

Letër-rreshtimi është lëshuar me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuarve në procedurë, pasi shumica prej tyre, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin – i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit – ndodhen në arrati.

Këta persona janë të akuzuar për vepra të rënda penale, përfshirë terrorizëm dhe financim të terrorizmit, ndërsa autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë bërë të ditur se tani pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për t’u përballur me drejtësinë.

Në seancën e sotme, krahas prokurorit të rastit, i pranishëm ishte edhe një hetues nga Departamenti i Antiterrorizmit.

Megjithatë, pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, trupi gjykues ka marrë aktvendim që hetuesi të largohet nga salla e gjykimit, me arsyetimin se në këtë fazë të procedurës ai nuk mund të jetë i pranishëm.

Në këtë proces, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte theksuar rëndësinë e nisjes së gjykimit edhe ndaj të pandehurve që ndodhen në arrati, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

Megjithatë, kjo çështje vazhdon të mbetet pezull, pasi ende nuk është marrë vendim nga gjykatësi, i cili kërkoi mendim juridik nga Gjykata Supreme lidhur me mundësinë ligjore për gjykimin në mungesë.

Në seancën përgatitore të mbajtur më 9 tetor 2024, Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë, ndërsa Maksimoviq ishte deklaruar i pafajshëm.

Të ngjashme