Një 16 vjeçar u arrestua nën dyshimin për planifikim të veprave penale terroriste.
I mituri dyshohet se ka planifikuar sulm ndaj disa nxënësve të një shkolle të mesme në Pejë.
Me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri ka kontaktuar portali Front Online, të hënën. Ai ka thënë se nuk mund të jap detaje se pjesë e cilës shkolle pejane ishte i dyshuari.
“Nuk e di në cilën shkollë. Policia na ka thënë mos të flasim asgjë”, u shpreh Muhaxheri.
Kryetari pejan tha se siguria në shkollat atje është në nivel dhe se rojën në disa prej tyre e financojnë vetë prindërit.
“Situata është shumë në rregull. Disa shkolla i kanë rojtarët që i paguajnë me prind. Komuna nuk i paguan rojtarët. Nuk planifikohet diçka e tillë. S`ka buxhet”, potencoi Muhaxheri.
Shkollat në Gjilan, me roje e nën vëzhgim të kamerav
Këtë e bëri të ditur nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, që vlerësoi se nuk kanë ndonjë telashe me sigurinë.
“Mbajmë mbledhje me Këshillin e Prindërve. I trajtojmë të gjitha temat. Për momentin nuk kemi vështirësi sa i përket sigurisë”.
“Shkollat e mesme ruhen me roje dhe janë nën mbikqyrje të kamerave”.
Eksperti i sigurisë: Të shpeshtohen patrullat policore rreth shkollave
Shpeshtim të patrullave policore rreth shkollave gjithandej Kosovës po kërkon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Kjo pas arrestimit të një të mituri që planifikonte sulm ndaj disa nxënësve të një shkolle të mesme në Pejë.
“Rastet e tilla do të mund të parandaloheshin në afatin më të shpejt kohor”.
Ky lavdëroi punën e policisë që s`lejoi të ndodhte sulmi terrorist.
“Shkollat janë të sigurta, por që kësaj radhe mund të themi që institucionet dhe akterët relevantë kanë ndërmarr veprime adekuate mbrojtëse”, u shpreh Shala për Front Online.
Armëmbajtja në shkolla/Sociologu: Të miturit po inspirohen nga lojërat si CS dhe PubG
Sociologu Jeton Brajshori thotë se të rinjtë po inspirohen nga lojërat kompjuterike, Konter e PubG, për mbajtjen e armëve me vete.
“I tillë mund të jetë edhe rasti ku një i ri planifikonte vrasje masive çka karakterizohet në Amerikë dhe tash në Serbi. Duhet shikuar këta të mitur se si e kanë statusin socio-ekonomik, a ka komunikim mes prindërve, a ka dhunë në familje. A jane të ndarë. Fëmijët i imitojnë të rriturit”.
Ky tha se shteti duhet t`u jap afat qytetarëve për kthimin e armëve, por jo vetëm.
“Shteti të bëjë kampanja sensibilizuese në shkolla në koordinim me prindërit, arsimtarët dhe psikologët”, u shpreh ai.
Front Online ka kërkuar shifra edhe nga policia lidhur me armëmbatjen në shkollat e Kosovës, mirëpo ka munguar përgjigja gjatë së hënës.