Lajme
Sulmi terrorist i 24 shtatorit, Kurti: Nëse Serbia nuk do të ndëshkohet nga ndërkombëtarët, ajo do ta përsërisë krimin
Demokracia
11:35 | 09 Tetor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit të dielën e 24 shtatorit kërcënoi integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin dhe sigurinë kombëtare, e një gjë e tillë sipas kreut të Qeverisë nxori në pah nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar, shkruan Reporteri.net.

Në një intervistë dhënë për gazetën malazeze “Pobjeda”, kreu i ekzekutivit tha se Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Serbia do ta përsërisë krimin.

“Është e qartë se sulmi terrorist në Banjskë në Zveçan kërcënoi integritetin tonë territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare. Gjithashtu, sulmi terrorist nxori në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë. Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, tha Kurti.

“Natyrisht, falënderojmë të gjitha vendet që e dënuan sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë të Zveçanit, si akt agresioni të Serbisë. I jemi mirënjohës edhe për mbështetjen që na kanë dhënë”, shtoi ai.

Të ngjashme