Sport
Sulmi ndaj Belgin Jasharit: FFK e dënon me 300 euro ekipin vendas për “lëshim në organizim”
Demokracia
09:42 | 26 Prill 2025

Share:

Me 300 euro gjobë është dënuar Shkolla e Futbollit “Arsenal” në Prishtinë.

Gjoba është shqiptuar nga komisioni disiplinor, lidhur me rastin e sulmit fizik ndaj futbollistit të Fushë Kosovës, Belgin Jasharit.

Rrëfimin e Belginit për sulmin dhe ofendimet raciste që e ndjekin në vazhdimësi, i publikoi Nacionale para disa ditësh. Rast i cili shkaktoi reagime të mëdha në Kosovë.

Sulmi ndaj Belgin Jasharit kishte ardhur nga një prind i cili hyri në fushën e lojës, dhe e goditi futbollistin me shqelm. Sulm i dyshuar edhe për shkaqe raciste, pasi Belgin Jashari është nga komuniteti ashkali.

Në vendimin që e ka parë Nacionale, FFK-ja e ka dënuar shkollën e futbollit “Arsenal” për lëshim në organizim, pra hyrje të personit të paautorizuar në fushë. Vendimi ishte marrë ditën e djeshme.

“Ndaj SHF Arsenal, ndeshja mes SHF Arsenal dhe SHF Fushë Kosova (Liga A, U15) e zhvilluar më 20.04.2025 në Mazgit. Motivi: Lëshim në organizim, hyrje e personit të paautorizuar. SHF Arsenal dënohet me gjobë prej 300 eurosh. Në bazë të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, neni 6 pika 1 në c dhe neni 18 pika 2 nën a”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e Policisë së Kosovës, dhe është në pritje të përgjigjes.

Nacionale ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e shkollës së futbollit Arsenal, Hetem Sogojeva. Ky i fundit ka deklaruar se nuk e njohin sulmuesin, dhe e dënojnë rastin. Klubi ia ka përcjellur Nacionales edhe shkresat të cilat i kanë përcjellur në Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Së pari, theksoj se jam me prejardhje nga Fushë Kosova dhe kam qenë lojtar aktiv për shumë vite në klubin Fushë Kosova. Kam bashkëpunuar dhe kam ndarë fushën me shumicën e trajnerëve që sot janë pjesë e SHF Fushë Kosova. Marrëdhëniet e mia me ta kanë qenë gjithmonë korrekte, miqësore dhe të ndërtuara mbi respekt dhe bashkëpunim. Prandaj, çdo pretendim se unë kam shprehur urrejtje, fyerje apo ndonjë qëndrim përçarës ndaj këtij klubi apo përfaqësuesve të tij është i pabazë dhe në kundërshtim të plotë me të vërtetën”, thuhet në raportin të cilin Sogojeva e ka përcjellur në FFK.

Kjo shkollë ka përcjellur edhe një reagim, ku thonë se e kanë dënuar rastin, duke shtuar se këtë incident e kanë lënë në duar të institucioneve.

“Në emër të Shkollës së Futbollit Arsenal, dëshirojmë të shprehim shqetësimin dhe keqardhjen tonë të thellë lidhur me ngjarjen e pakëndshme që ka ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet ekipeve Arsenal – Fushë Kosova. Ne, si shkollë e futbollit që edukon brezat e rinj me vlera sportive dhe njerëzore, distancohemi plotësisht nga çdo formë e huliganizmit, dhunës apo sjelljeve jo-sportive që cenojnë frymën e garës dhe respektit të ndërsjellë. Dënojmë fuqishëm çdo akt që bie ndesh me parimet dhe etikën sportive”, thuhet në komunikatë.

Ky rast ka shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar që institucionet të marrin masat e nevojshme, për të parandaluar racizmin.

Një thirrje të njëjtë e ka pasur edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.

Deputetë, opinionistë, trajnerë e futbollistë, gjithashtu janë distancuar nga dhuna e cila dyshohet se u nxit mbi motive raciste.

Të ngjashme