Lajme
Sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë, Sadiku me apel për veprime urgjente për garantimin e sigurisë së gazetarëve
Demokracia
23:11 | 16 Prill 2023

Share:

Naim Sadiku, anëtar i bordit të AGK-së, në një intervistë në Kanal10 është shprehur thellësisht i shqetësuar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla dhe ka kërkuar veprime urgjente nga institucionet për të garantuar sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre.

Sadiku e ka quajtur këtë një veprim të papranueshëm ndaj lirisë së shtypit dhe gazetarisë. Ai tha se është vështirë të kuptohet se si ka persona që përdorin dhunën dhe vetëgjyqësinë.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe raste të tjera të sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë, duke theksuar se ky nuk është rasti i parë që ndodh një sulm ndaj Valon Sylës dhe se ka pasur raste të tjera të përgjakjes së gazetarëve.

Ai veçoi rastin e Visar Duriqit dhe tentimin e djegies së shtëpisë së Alban Selimit, të cilat janë shqetësuese për situatën e sigurisë së gazetarëve në Kosovë.

“Lajmin për sulmin fizik ndaj Valon Sylës e kemi marrë me shqetësim të thellë edhe si Asociacion i Gazetarëve të Kosovës edhe si koleg gazetar për shkak se në një shoqëri në të cilën punojmë dhe angazhohemi të gjithë është vështirë e kuptueshme që ka persona që e marrin shkopin në dorë, vetgjyqësinë në dorë dhe pakënaqsite dhe mospajtimet për qëndrime të ndryshme që i shfaqin gazetarët zgjedhin ta bëjnë përmes formës brutale pra përdorimit të dhunës dhe këtë pra kërkojmë absolutisht dhe në mënyrë urgjente nga institucionet e Kosovës që sa më parë t’i gjejnë autorët dhe t’i sjellin para drejtësisë sepse këto raste nuk janë të pakta as ky rast nuk është i vetëm. Ka pasur raste edhe në të kaluarën, madje është rasti i dytë i sulmit ndaj Valon Sylës por ka edhe raste të tjera të përgjakjes së gazetarëve, rasti i Visar Duriqit, tentimi i djegies së shtëpisë të Alban Selimit është shqetësues në të cilën shtëpi kanë qenë familjarët e tij.” – ka thënë ai.

Sadiu bëri thirrje për veprime të menjëhershme dhe të rrepta nga institucionet e Kosovës për të identifikuar autorët e sulmit ndaj gazetarëve dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë. Ai tha se institucionet duhet të ofrojnë siguri për punën e gazetarëve, duke ndërmarrë veprime të ashpra për kapjen dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre sulmeve

Pra janë raste eklatante që do të duhej sëcili ta ngrisin zërin sepse këto sulme vijnë si pasojë e punës së gazetarëve. Prandaj, institucionte ose sot ose kurrë duhet të ofrojnë siguri për punën e gazetarëve duke ashpërsuar veprimet qoftë në kapjen e autorëve qoftë në sjelljen e tyre para drejtësisë” – ka thënë ai.

Të ngjashme