Ministri i Drejtësisë i Francës, Gerald Darmanin ka bërë të ditur të martën se disa burgje franceze janë shënjestruar nga zjarri dhe armët automatike në natën e mbrëmshme. Lajmin ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në llogarinë e tij në “X”.
“Ka pasur përpjekje për ta frikësuar stafin në disa burgje, që nga djegia e veturave e deri te gjuajtja me armë automatike. Unë po shkoj në Toulon për të mbështetur oficerët e prekur. Republika e Francës po ballafaqohet me problemin e trafikut të drogës dhe po ndërmerr masa që do të shkatërrojnë rrjetet kriminale”, ka shkruar Darmanin.
Një burim i afërt me ministrin ka thënë për agjencinë franceze të lajmeve (AFP), dyshohet se sulmet kanë qenë të koordinuara dhe si kundërpërgjigje ndaj strategjisë së qeverisë për luftimin e trafikut të drogës.
Media franceze “Le Figaro” ka njoftuar se burgjet në Marseille, Valence, Nimes, Luynes, Villepinte dhe Nanterre ishin gjithashtu mes atyre që u prekën nga sulmet.