Lajme
Sulme, linçime e kërcënime: Si nisi beteja e pushtetit të LVV-së me mediat në Kosovë?
Demokracia
15:51 | 29 Korrik 2023

Share:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dalë me njoftim publik ku thuhet se për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “Klan Kosova”, duke thënë se vendimi e ka përmbyllur këtë rast brenda ministrisë dhe se Klan Kosova ka të drejtën të ushtrojë padi. Me këtë vendim, MINT i ka hapur rrugë mbylljes së televizionit Klan Kosova gjë që ka ngjallur reagime të ashpra si brenda po ashtu edhe jashtë Kosovës. Megjithatë, “beteja” e pushtetit me mediat nuk ka filluar me vendimin e ARBK-së për revokim të licencës ose me vendimin e djeshëm të MINT.

Lëvizja Vetëvendosje, më saktësisht eksponentë politikë të këtij subjekti politik vazhdimisht kanë sulmuar e linçuar mediat e ndryshme në Kosovë por edhe gazetarët. Kryesisht, cak i këtyre sulmeve ishin gazetarët dhe mediat që nuk pajtoheshin me qeverisjen Kurti dhe sulmet vinin duke filluar nga anëtarët e thjeshtë të partisë e deri tek këshilltarët e lartë. Listës së sulmeve të medias nuk i mungon as kryekëshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela.

Qysh në vitin 2020, në qeverinë Kurti I, zëvendësministri i Mbrojtjes njëherësh anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje – Enver Dugolli, kishte sulmuar verbalisht gazetarët përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Piskamat shterruese e dëshpëruese të disa “gazetarëve” për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht “viktimën plitike” madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se ç’farë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi…” kishte shkruar Dugolli në llogarin e tij.

Në vitin 2021, sulmet ndaj mediave u shtuan. Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ish-kandidat i kësaj partie për deputet, Hysamedin Feraj kishte sulmuar një grup të gazetarëve.

Në një postim në Facebook, Feraj i kishte akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”.

“Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”, kishte shkruar Feraj.

“Vallës” së kërcënimeve e linçimeve ndaj gazetarëve iu bashkua edhe kryekëshilltari i presidentes Vjosa Osmani. Ai disa herë kishte përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve duke i etiketuar edhe mediat si “të ish-regjimit Pronto”.

Lidhur me këtë, kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që e cilësonin si përhapje të urrejtjes dhe sulmeve ndaj gazetarëve në Kosovë.

“Duke ardhur nga zyra më e lartë e shtetit, këto veprime të zotit Vela ndikojnë në frikësimin e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të pasigurtë për punën e tyre. AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të distancohet dhe të përkujdeset që sulme të tilla të mos përsëriten nga zyra e saj.”, deklaronte atë kohë AGK-ja.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërcënuar portalin “Albanian Post” dhe drejtorin e tij, Baton Haxhiu, për shkak të raportimit të mëhershëm për dështimin e procesit për emërimin e ambasadorëve të rinj të Kosovës.

Mediat i kishte kërcënuar edhe ish-deputeti i LVV-së, Haki Abazi. Ai në një audio-incizim të publikuar nga Albanian Post kishte kërcënuar hapur Baton Haxhiun dhe mediumin që ai drejtonte.

“Ta bëj më zi se në Klan, për besë ka me ardhë dita më zi se në Klan ka me të ndodhë”, ishte shprehur Abazi. “Unë po të tregoj, thuaj Baton Haxhiut mos ma qitë të keqen prej barkut”, kishte vazhduar ai.

Edhe më i rëndë ishte rasti ndaj drejtorit të Gazetës Insajderi Parim Olluri i cili u intervistua nga policia e Kosovës pas publikimit të një lajmi lidhur me sigurimin e vaksinave ndaj COVID-19. Kjo ishte cilësuar si shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve.

Listës së linçuesve e denigruesve të medias nuk i mungon as burri i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu. Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, kishte përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, kishte shkruar Sadriu në Facebook.

Edhe shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Luan Dalipi kishte linçuar e sulmuar mediet. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook i kishte lidhur mediat me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato.

Gjuha e Dalipit edhe nga AGK-ja konsiderohej si vazhdimësi e diskursit të ashpër të pushtetarëve ndaj medieve.

Gjuhë nënçmuese ndaj gazetares Besarta Hoti përdori Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, sot në një konferencë shtypi. Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, teksa, Sveçla i ka quajtur “budallallëqe” pyetjet e gazetares.

Sjellja e ministrit ishte konsideruar joprofesionale për postin e tij dhe gjithashtu me konotacione seksiste. Përgjigja e tij kishte nxitur një varg reagimesh linçuese online që kishin target gazetaren Hoti.

Deputetja e pushtetit, Fitore Pacolli nuk ishte ndalur hiç te linçimet. Ajo direkt kishte bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos atyre online. Kjo ishte konsideruar nga AGK-ja si ndërhyrje direkte e Qeverisë për kontroll të mediave.

Fushata e intensifikuar e disa individëve ndaj mediave u mbështet edhe nga eksponentë dhe njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj, ish-këshilltarë të Kryeministrit Kurti dhe Sadri Ramabaja, ish-asamblist i Vetëvendosjes, kishin bërë komente publike fyese kundër gazetës online “Nacionale”, duke i targetuar gazetarët dhe raportimet e këtij medium rreth grevës në arsim. Për më tepër, Hoxha kishte shkruar se “në mediat tona ka shumë që flasin serbisht në shqip”.

Deputeti i partisë në pushtet, Vetëvendosje, Sali Zyba, kishte publikuar në profilin e tij në Facebook, një videomontazh ku paraqiste kryeredaktorin e televizionit T7, Arsim Lani dhe drejtorin e T7 dhe Gazeta Express, Leonard Kërquki duke prezantuar emisione të ndara të vitit 2016 dhe 2022 me mbishkrimin “E njëjta luftë e UÇK-së, i njëjti medium”.

Kjo nga AGK-ja ishte konsideruar si thirrje për linçim ndaj dy gazetarëve dhe mediumeve në fjalë.

Sërish Blerim Vela. Ai kishte sulmuar mediat edhe lidhur me raportimet për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për deputetë të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që si zinxhir mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentes.

Vela në një postim skandaloz në Twitter, kishte thënë se raportimet e medieve të Kosovës “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së”.

Së fundmi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci kishte publikuar një dokument të brendshëm të Administratës Tatimore të Kosovës me subjekt gazetarin dhe pronarin e portalit “Nacionale”, Berat Buzhala, me të cilin e akuzon atë për shmangie tatimi në vlerë prej 71 mijë Euro.

Buzhala e publikoi publikuar një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e këtij kontesti tregtar-administrativ me vendim përfundimtar të gjykatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e kishte cilësuar si shumë shqetësues faktin që një dokument i tillë i ATK-së, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës, është në posedim dhe publikohet nga një deputet i Kuvendit të Kosovës dhe gjithashtu kishin deklaruar se kjo nënkupton presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet ndaj Buzhalës dhe Nacionales, pas publikimit të serisë së audio-incizimeve të zonjës Mimoza Kusari Lila – Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, me ish-deputetin e Listës Srpska, Slavko Simiq.

Së fundmi, gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi u sulmuan me emër e mbiemër hiç më pak se nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Sveçla kishte deklaruar se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq.

Ministri gjithashtu kishte akuzuar gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve.

Këto janë vetëm disa nga rastet kur eksponentë të pushtetit kanë sulmuar me zell mediat në Kosovë. Kjo ka kulmuar me vendimin e djeshëm të MINT për mbylljen e televizionit Klan Kosova.

Të ngjashme