Lajme
Studimi ndërkombëtar: Drejtësinë që synon Gjykata Speciale nuk e dëshiron populli i Kosovës dhe s’ka nevojë për të
Demokracia
21:19 | 18 Prill 2023

Share:

Për dallim nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi, Gjykata Speciale është krijuar me presion të madh ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës dhe vetëm për shqiptarët, përkatësisht vetëm për pjesëtarët e UÇK-së andaj kjo do të këtë pasoja për paqen mes shqiptareve dhe serbeve, mes dy shteteve te tyre dhe për pajtimin mes dy popujve, thuhet në studimin e publikuar në Universitetin Amerikan “Duke University School of Law”, në dhjetor të vitit të kaluar.

“Përderisa Tribunali për ish-Jugosllavinë (ICTY) synonte të ndiqte penalisht të pandehurit nga të gjithë (popujt) duke luftuar grupet e përfshira në luftërat Ballkanike, Gjykata Speciale synon kryesisht një grup etnik-shqiptarët e Kosovës që kanë shërbyer në UÇK. Ky mandat i kufizuar është veçanërisht i diskutueshëm në Kosovë ku shoqëria shqiptare, luftëtarët e UÇK-së i ka shpallur si heronj që e çliruan Kosovën nga sundimi autokratik i Serbisë”, thuhet në raport.

Vlerësohet se shumica dërrmuese e popullit te Kosovës nuk kanë fare besim në këtë Gjykatë dhe do të ishin të gatshëm të protestojnë dhe reagojnë kundër saj.

“Në të vërtetë, që nga viti 2017, 76.4 për qind e shqiptarëve të anketuar besojnë se Gjykata Speciale është e padrejtë dhe e njëanshme”, thuhet në raport. “Nisur nga ky këndvështrim, çdo vendim që jep Gjykata kundër një luftëtari të UÇK-së me gjasë nuk do të promovojë pajtimin. Përkundrazi, një i tillë vendimi do të vërtetojë pikëpamjen e gjerë për Gjykatën si një institucion i njëanshëm dhe të thellojë ndarjen mes shqiptarëve dhe serbëve. Në fakt, që nga viti 2017, shumica e shqiptarëve etnikë e përshkruan veten si të gatshëm për të protestuar në përgjigje të një numri veprimesh të mundshme të Gjykatës kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Edhe më befasuese, 36 për qind e shqiptarëve të anketuar pranuan se do të vepronin për të ndërhyrë drejtpërdrejt në Gjykatë dhe Prokurori Speciale për të penguar ndjekjet penale të anëtarëve te UÇK-së”, thuhet tutje në raportin e publikuar në revistën shkencore të Universitetit Amerikan.

Në studim thuhet se drejtësinë të cilën po e kërkon Gjykata Speciale nuk e dëshiron shumica e popullit të Kosovës, andaj kjo do të përkeqësojë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Si një gjykatë shumë e ndërkombëtarizuar, Gjykata Speciale do të mbetet e ndarë nga populli kosovar. Si rezultat – dhe shumë ndryshe nga pretendimet e ithtarëve të saj – Gjykata Speciale ka një shans të vogël për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve etnike brenda shtetit. Gjykata është duke kërkuar drejtësi që është e ndryshme nga ajo qe dëshiron populli kosovar dhe nga ajo që është e nevojshme për të. Në këtë mënyrë, në vend që të promovojnë paqen, vendimet e Gjykatës Speciale ka mundësi të madhe të forcojnë narrativat nacionaliste dhe rritjen e tensioneve brenda Kosovës”, thuhet në studimin e “Duke University School of Law”.

Të ngjashme