Lajme
Studentët e Fakultetit të Bujqësisë, viti i ri akademik në objektin e ri?
Demokracia
14:10 | 11 Korrik 2022

Share:

Ende nuk dihet nëse studentët e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës, mund të fillojnë vitin e ri akademik në objektin e ri.

Krahas hetimeve që po zhvillohen mbi procedurat e prokurimit, tashmë është edhe problemi nga një largpërçues i tensionit të lartë që ndodhet pranë objektit të ri.

Në intervistën dhënë Radio Kosovës, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, tha se distanca e kërkuar sipas standardeve nuk është ruajtur, derisa theksoi se po bëhen përpjekje për ndonjë adaptim që të lejohet kyçja në rrjet.

Ndërtimi i objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë, është dashur të përfundojë në vitin 2016, ndërsa ende studentët nuk mund të zhvillojnë mësimin në këtë objekt.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, në intervistën për Radio Kosovën, tha se përkundër përpjekjeve që janë bërë, nuk kanë rezultuar me sukses dhe se ka dilema nëse do ta marrin në shfrytëzim Fakultetin nga 1 tetori i këtij viti. Ai sqaroi se përveç hetimeve që po zhvillohen mbi procedurat e prokurimit, tani kanë dalë probleme të tjera që kanë të bëjnë me distancën nga një largpërçues të energjisë elektrike.

“Jemi duke zhvilluar bisedime me KEDS dhe KOSTT, por gjendja nuk është e mirë në atë drejtim, pasi sipas të gjitha gjasave gjatë kryerjes së punimeve nuk janë respektuar distancat e nevojshme nga linjat e lart-përçuesit dhe kjo për momentin na ka bllokuar në këtë aspekt”, tha rektori Sahiti.

Rektori Sahiti, tha se para se të merret në shfrytëzim objekti i Fakultetit, duhet të formohet një komision i pranimit dhe duhet të testohen të gjitha pajisjet. Ai tha se për këtë problem kanë diskutuar edhe me KOSTT-in dhe KEDS-in.

“Ne kemi dërguar një ekip të profesionistëve tanë të brendshëm në fushën e gjeodezisë, që të bëjnë matjet e distancës përkatëse dhe janë dërguar në KOST dhe konstatimi është që distanca e kërkuar sipas standardeve nuk është ruajtur. Tani jemi në fazën për të shikuar nëse ka mundësi që të bëhet ndonjë adaptim që të lejohet kyçja në rrejt, por nuk mund të them që situata është premtuese dhe e cila do të na lejonte që të bëhet kjo”, shprehet Sahiti.

KOSTT-i ka nën menaxhim largpërçuesit e tensionit të lartë, ndërsa kriteri i kërkuar në këtë rast është 7 metra distancë nga projeksioni horizontal i përçuesit të fundit.

Vitin akademik që shkoi, procesi mësimor është zhvilluar në objektin e Gjimnazit Matematikor, bazuar në një bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Të ngjashme