Thomas Strakosha ishte ndër lojtarët më të kritikuar në rrjetet sociale ditët e fundit.
Portieri i Kombëtares shqiptare bëri një gabim amatoresk në takimin kundër Galatasarayt në Ligën e Evropës me një autogol që i kushtoi me humbje skuadrës së Lazios, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, janë vetë tifozët e Lazios ata që i kanë dalur në krahë “gardianit” shqiptar me një mesazh mbështetës të shpalosur në tribuna gjatë fundjavës që lamë pas.
“Mos e vrit mendjen për ata, por shih përpara dhe bëj pritje. Forca Strakosha”, shkruhej në pankartën e tifozëve të Lazios.
Kjo ka bërë që Strakosha të shpërthej në lot, derisa portieri shqiptar ka shkruar në llogarinë e tij në Instagram për gjestin e madh të lacialëve.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar atë që ndjeva duke hyrë në fushë mes duartrokitjeve plot dashuri dhe më pas te banderola që kishte emrin tim.
“U përpoqa t’i mbaja lotët, por nuk munda. E vetmja gjë që mund të them është që i falënderoj shumë tifozët e Lazios për dashurinë dhe mbështetjen”.
“Ky moment do të mbetet në zemrën time përgjatë gjithë jetës. Tani të punojmë për ta sjellë Lazion aty ku e meriton”, ka shkruar Strakosha
Strakosha ishte lënë në bankën rezervë në barazimin 2-2 të Lazios të dielën kundër Cagliarit në “Olimpico”. /Demokracia.com