Lajme
Stradner: SHBA-të janë shumë më të shqetësuara për Bosnje-Hercegovinën sesa për Kosovën
Demokracia
18:51 | 14 Janar 2024

Share:

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, vlerësoi në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” të dielën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shumë më të shqetësuara për situatën në Bosnje-Hercegovinë sesa për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Stradner, këshillitare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë (FDD) në Uashington, duke komentuar kërcënimet secesioniste të presidentit ultra-nacionalist të Republikës Sërpska, entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, konsideroi se paralajmërimet e Dodikut duhet të merren shumë seriozisht, derisa përmendi edhe tensionet në Kosovë.

Ajo theksoi se SHBA-të do të intervenonin në rast se Dodiku shkon në drejtim të ndarjes së entitetit serb, posaçërish pas mesazhit të dërguar nga aeroplanët luftarakë amerikanë (F-16) që fluturuan mbi qytetet Bërçko dhe Tuzlla në prag të festimit antikushtetues të 9 janarit në Republikën Sërpska.

“Disa muaj më parë, nuk do të isha aq e sigurt se SHBA-ja do të ndërhynte. Por këtë herë jam e sigurt se SHBA-të e marrin shumë seriozisht situatën në Bosnje-Hercegovinë. Duhet të them se në Uashington, njerëzit janë shumë më të shqetësuar për situatën në Bosnje-Hercegovinë sesa për ndodhitë në Kosovë – dhe ka arsye shumë serioze për këtë”, tha Stradner.

Shumë vëzhgues deklarojnë se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës tani rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Të ngjashme