Lajme
Stoltenberg: Prania e NATO-s është e rëndësishme në Kosovë
Demokracia
14:44 | 22 Qershor 2023

Share:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se situata aktuale në Kosovë është dëshmi se në këtë shtet është e rëndësishme prania e misionit paqeruajtës të aleancës, KFOR.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi në selinë e NATO-s me presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

“Situata në Kosovë dëshmon se prania e NATO-s është e rëndësishme. Ne do të jemi besnikë ndaj mandatit që kemi sipas rezolutës së OKB-së dhe kemi rritur praninë tonë në Kosovë si përgjigje ndaj rritjes së sfidave të sigurisë. Prania jonë është për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. Në këtë drejtim, ne mbështesim edhe dialogun [midis Kosovës dhe Serbisë] dhe ftojmë palët që të përmbahen nga veprimet e njëanshme të cilat mund të përshkallëzojnë situatën”, tha ai.

Sot të mbahet takimi në Bruksel me liderët e Kosovës dhe Serbisë me qëllim që të shtensionojë situatën.

Stoltenberg dhe Millatoviq kanë ftuar Kosovën dhe Serbinë që të ulin tensionet mes tyre dhe të përqendrohen në kalimin e kësaj situate përmes dialogut.

“I ftoj palët të ulin tensionet dhe të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Kjo është kyçe për qetësinë në Kosovë dhe për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha shefi i NATO-s.

Ndërsa, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se për shtetin e tij stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi të veçantë dhe angazhimi i përbashkët i NATO-s dhe BE-së e forcon sigurinë e tërë rajonit, raporton REL.

Të ngjashme