Lajme
“Statusi i veçantë i Kishës Ortodokse Serbe e shkel Kushtetutën e Kosovës” 
Demokracia
20:35 | 01 Mars 2023

Share:

Projektligji që rregullon Bashkësitë Fetare u miratua të mërkurën në komisionin e kësaj fushe në kuvend. Por kjo nismë zor se do të kalojë në seancë, pasi duhen edhe votat e deputetëve serbë, të cilët kohëve të fundit nuk shihen prezent në sallë.

“Pa një marrëveshje politike për vota nuk mund të bëjmë shumë”, thotë për Klan Kosova, Duda Balje, kryetare e komisionit.

Por duket se Lista Serbe s’është e interesuar për këtë, pasi tema e Kishës Ortodokse Serbe është temë e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi.

Neni 7 i planit evropian, me të cilin janë pajtuar palët në Bruksel të hënën, parasheh zyrtarizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Njohësi i Kushtetutës, Mentor Beqiri thotë se implementimi i saj sjell probleme brenda shtetit.

“Kjo është përfshirje direkte nga ana e Serbisë, përveç që cenon integritetin shtetëror të Republikës së Kosovës, është trajtim i pabarabartë ndaj besimeve tjera”, shprehet ai.

Madje shton se ky nen përbën shkelje kushtetuese, edhe pse sipas tij, në këtë rast mund të bëhet përjashtim.

“Nëse arrihet marrëveshje politike, nga të gjithë akterët, kjo ecë përpara pavarësisht nëse do të ketë apo jo shkelje juridike”, thotë Beqiri.

Historiani Bedri Muhadri vlerëson se kjo i jep pushtet shtesë Kishës Ortodokse.

“Përpiqet që ta tejkalojë kushtetutshmërinë e Kosovës. Unë mendoj që është zgjidhje jo e drejtë historike, është zgjidhje që përkon me rrethana politike”, thotë ai.

Detajet e statusit të veçantë të kësaj bashkësie fetare nuk janë bërë të ditura nga asnjëra palë.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti ditë më parë në Kuvend ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe tashmë është përfshirë në ligjin e ri për Lirinë Fetare.

Të ngjashme