Sport
Statovci i sheh dy probleme të Drita: Ose janë në krizë ose janë ngopur nga sukseset, kjo e dyta është sëmundje e keqe
Demokracia
19:40 | 20 Shkurt 2021

Share:

Drita sot ka marrë një rezultat zhgënjyes në fushën e vetë, duke u mposhtur nga Trepça ’89, humbje kjo që vë në pah shumë probleme te kampioni në fuqi, shkruan Demokracia.com.

Humbja në Superkupë, eliminimi nga Kupa dhe tash humbja në kampionat, tregon qartë se të Drita ka telashe dhe lypset reagim i menjëhershëm, ndryshe gjërat mund të vështirësohen.

Njohësi i mirë i futbollit tonë, Faruk Statovci në një bisedë për Demokracia.com ka analizuar situatën e Dritës në këtë fillim të stinorit pranveror, duke cilësuar se gjërat nuk janë aspak mirë.

“Pas humbjes në Superkupë, menduam se është vetëm fillimi, pasi ndeshjet e para sjellin edhe befasi dhe është e arsyeshme pak a shumë. Por, me eliminimin nga Kupa, pastaj fitorja minimale ndaj Llapit dhe sot humbja në kampionat, nuk kemi farë të themi vetëm se e dimë që te Drita nuk po shkojnë gjërat siç i kemi pritur”, ka thënë Statovci.

Drita i besoi shumë ekipit të vjeshtës kur edhe u shpall kampione vjeshtore, duke bërë që në afatin kalimtar drejtuesit e klubit dhe trajneri të mos bëjnë ndryshime në ekip, dhe ndoshta ky ishte gabimi.

Unë them se Drita ka hyrë në krizë të rezultateve dhe me humbjen e sotme i ka dhënë mundësi edhe kundërshtarëve tjerë të futën në lojë për titull. Nëse Drita dëshiron ta mbrojë titullin duhet urgjent të reagojë përndryshe do të kenë probleme”, ka vlerësuar Statovci sipas të cilin janë dy arsye që e kanë quar kampionin në fuqi në këtë situatë.

Dy arsye janë këtu. Ose skuadra ka hyrë në krizë, ose lojtarët janë ngopur më suksese. Nëse është e para besoj se Drita do të këndellet shpejt, por nëse është e dyta, gjërat atëherë janë shqetësuese  pasi është sëmundje shumë e keqe”, ka përfunduar Faruk Statovci. /Demokracia.com

 

 

Të ngjashme