Sport
Starti i frikshëm i Trepçës ’89, pasi befasoi Dritën e Llapin, Shpëtim Idrizi tash ka një objektiv të qartë
Demokracia
15:42 | 24 Gusht 2022

Share:

Askush nuk kishte pritur që Trepça ’89, do të ketë një start kaq të mirë siç e kishte në dy ndeshjet e para të Albi Mall Superligën e Kosovës.

“Minatorët” në dy takimet e para u ndeshën me dy skuadra shumë cilësore të cilat qysh në start kanë hapur kandidaturën për titull, Dritën dhe Llapin. Që në të dyja Trepça’89, mbeti e pamposhtur duke barazuar, mirëpo me më pak fat kanë mundur të ngadhënjejnë në të dyja ndeshjet, shkruan Demokracia.com.

Gjatë kohës së merkatos, Trepça ’89, ishte e qetë dhe nuk bënte shumë zhurmë me lëvizje, kjo sikur krijoi një përshtypje se për minatorët objektivi kryesor në elitë do të jetë mbijetesa, madje shumë kush edhe e vuri në dyshim atë. Mirëpo, fusha tregoi diçka krejt tjetër.

Trajneri Shpëtim Idrizi, në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se ekipi ka treguar lojë të mirë, por ata kanë forcë dhe potencial edhe për më shumë, derisa për Dritën e Llapin ka thënë se janë rivalë të njohur dhe edhe në të kaluarën kanë ditur t’ i mposhtin.

“Sa i përket përballjeve me Dritën dhe Llapin, realisht nuk jonë të panjohura për ne duke marrë parasysh se Trepça’89 gjithmonë ka pas paraqitje të mira dhe bilanc pozitiv me këto dy ekipe”, ka thënë fillimisht Idrizi, duke shtuar se këto dy takime në bazë të përformancës në fushë kanë mundur të përfundojnë me fitoren e Trepçës ’89.

“Mendoj që fati nuk ishte me neve në ato dy ndeshje. Të paktën është dashur t’i kemi 4 pikë por futbolli është i tillë”, vlerësoi tekniku mitrovicas për Demokracia.com.

Gjithsesi, Trepça ’89 duket se tashmë i ka objektivat e qarta. Evropa do të jetë synimi i tyre, atje ku po besojnë se kanë potencial për të arritur.

“Nëse vazhdojmë me këto paraqitje, patjetër që do ta kërkojmë Evropën. Besoj që kemi në mesin tonë një grup shumë homogjen të lojtarëve ku secili të jep nga vetja maksimumin dhe nuk do të ishte befasi që ta shohim Trepçen’89 në Evropë, kur dihet se kemi qenë edhe kampion dhe pjesëmarrës për herë të parë në garat evropiane”, ka përfunduar, Shpëtim Idrizi.

Trepçën ’89 në ndeshjen e tretë është dashur të ndeshët me Ballkanin por për shkak që kjo e fundit merr pjesë në garat ndërkombëtare, kjo sfidë është dashur të shtyhet për një kohë tjetër. /Demokracia.com

Të ngjashme