Bashkimi Evropian përsëriti thirrjen e tij drejtuar Serbisë dhe Kosovës që të krijojnë klimë për vazhdimin e dialogut për normalizimin gjithëpërfshirëse të marrëdhënieve.
“Puna në dialog është duke vazhduar. Javët e fundit kemi thënë vazhdimisht se nga ana e BE-së ka një pritje të qartë nga palët për të ndërmarrë hapa shumë mirë të përcaktuar për de-përshkallëzimin dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe.
Ai ka nënvizuar rëndësinë thelbësore të vazhdimit të dialogut pa vonesa të mëtejshme dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe aneksit të zbatimit të saj, transmeton Paparaci.
Stano ka thënë se ende nuk ka datë për takim të ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por për këtë opinioni do të njoftohet me kohë.
Gjegjësisht, që nga përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka deklaruar se nuk ka vend që të flitet për dialog derisa të rivendoset stabiliteti në këtë pjesë të Kosovës.
Përfaqësuesi Special për Dialog, Miroslav Lajçak, i cili ndodhet në Beograd më 30 gusht, ka konfirmuar se takimi i ri i liderëve do të mbahet në shtator.
Më 28 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar për dialogun me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Situata në veri të Kosovës u tensionua në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë.
Megjithëse serbët dhe partitë serbe me urdhër të regjimit të Beogradit i bojkotuan këtë zgjedhje, ata, me organizim të Beogradit shkaktuan trazira duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e prillit, ku edhe sulmuan dhe plagosën mbi 70 ushtarë të KFOR-it./Paparaci.com