Lajme
Stano: Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme edhe pse nuk është nënshkruar
Demokracia
09:24 | 09 Janar 2024

Share:

Zbatimi i marrëveshjes për targat e automjeteve është dëshmi se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe Brukseli po punon brenda kësaj kornize për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është ligjërisht e obligueshme për të dy palët, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.

Stano ka theksuar se dialogu do të vazhdojë sapo të formohet qeveria e re e Serbisë, dhe për këtë KE do të ndihmojë të dy palët, sepse Serbia dhe Kosova duhet të zbatojnë gjithçka që është specifikuar.

“Kjo është ajo që anëtarët dhe institucionet e BE-së presin sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

I pyetur nëse mund të pritet një takim në nivelin më të lartë në dialogun Kosovë-Serbi në një të ardhme të parashikueshme, zëdhënësi i KE ka thënë se progresi në dialog vazhdon në të gjitha nivelet dhe se takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti do të njoftohet kur të plotësohen kushtet dhe të përcaktohet agjenda e një takimi të tillë, transmeton Paparaci.

I pyetur për të shpjeguar se çfarë do të bëjë BE-ja pasi Vuçiqi në dhjetor i dërgoi një letër BE-së në të cilën ka deklaruar se nuk do të zbatojë dispozitat thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit, zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë Evropian, Josep Borrell, është përgjigjur se ai nuk mund t’i referohet letrave të ndryshme dhe ka theksuar se “nuk ka informata se Serbia zyrtarisht ka hequr dorë nga zbatimi i obligimeve nga marrëveshjet e Brukselit apo të Ohrit”.

Ai ka nënvizuar se të dyja këto marrëveshje janë ligjërisht të obligueshme, duke theksuar se BE-ja i ndihmon të dyja palët në zbatimin e tyre dhe bëri të qartë se dispozitat e marrëveshjes janë bërë pjesë e procesit që e çon Serbinë dhe Kosovën drejt anëtarësimit në BE.

I pyetur nga njëri prej gazetarëve se “si mund të jetë ligjërisht e obligueshme marrëveshja nëse nuk e kanë nënshkruar të dy palët”, zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka thënë se ajo në fakt është ligjërisht e obligueshme edhe pse nuk është nënshkruar.

“Ne e kemi diskutuar shumë gjerësisht këtë çështje në muajt e fundit dhe mund t’ju kujtoj se ekziston një nen në Konventën e Vjenës që qartëson se cilat lloje të marrëveshjeve janë të obligueshme dhe cilat nuk janë. Për ne ky është një dokument ligjërisht i obligueshëm, një marrëveshje juridikisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse nuk është nënshkruar”, ka nënvizuar Stano.

Zëdhënësi i Borrellit ka shtuar se BE dhe SHBA po e monitorojnë nga afër këtë dhe ka shprehur besimin se këtë vit të dyja palët do të investojnë energji të re në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

Të ngjashme