Lajme
​Stano: BE e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë, kur të jenë kushtet e duhura
Demokracia
16:02 | 05 Qershor 2023

Share:

Bashkimi Evropian është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë në dialogun Kosovë-Serbi, kur të jenë kushtet e duhura. Kështu ka thënë zëdhënësi Peter Stano, i cili ka theksuar se në këtë fazë gjëja më e rëndësishme është ulja e tensioneve në teren.

Nga Brukseli, Stano është përgjigjur për një takim të mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Sigurisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të presim dhe të bëjmë thirrje për një takim të dialogut të nivelit të ardhshëm të lartë mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti kur janë kushtet e duhura, kur të dy bien dakord, por në këtë fazë më e rëndësishmja është de-përshkallëzimi, hapat konkretë në terren dhe pikërisht për këto kemi përfaqësuesin special të BE-së Lajcak, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, dhe më pas, pasi të kthehet, ai do t’i raportojë Përfaqësuesit të Lartë, Përfaqësuesi i Lartë do t’i raportojë shteteve anëtare dhe ato do të vendosin për hapat e ardhshëm”, ka thënë Stano.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të qëndrojnë sonte në Kosovë ndërsa nesër në Serbi.

Stano ka deklaruar se vizita e tyre është për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë, që të ulin menjëherë tensionet.

“Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, po udhëton në rajon. Ai do të jetë në Prishtinë gjatë ditës së sotme dhe nesër në Beograd, i shoqëruar edhe nga zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, z. Escobar, dhe ata do të ndjekin thirrjet evropiane dhe amerikane ndaj Serbisë dhe Kosovës për të de-përshkallëzuar menjëherë situatën dhe për të ndërmarrë hapa që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, dhe platforma për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme është me të vërtetë dialogu i lehtësuar nga BE”, ka thënë zëhdënsi i BE-së.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës./

Të ngjashme