Lajme
Standardet e dyfishta të ATK-së: Degradon zyrtarin që hetohet për vepër korruptive, por avancon tjetrin që akuzohet për një të tillë
Demokracia
10:19 | 16 Janar 2022

Share:

Administrata Tatimore e Kosovësë (ATK) ka përdorur standarde të dyfishta të trajtimit të zyrtarëve të saj. Përderisa ndaj zyrtarit Alban Qerimi, për të cilin zhvillohet procedurë hetimore për vepër korruptive, është marrë vendim për transferim në një pozitë tjetër, njëjtë nuk është vepruar edhe ndaj zyrtarit Burim Troni, ndaj të cilit tashmë ka një aktakuzë për korrupsion.

Me një vendim të drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, të 13 gushtit 2021, Alban Qerimi që mbante pozitën e drejtorit të ATK-së në Gjilan, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, i është ndryshuar pozita dhe është transferuar në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Koordinim të Projekteve në kuadër të Departamentit për Zhvillim dhe Koordinim të Projekteve në Zyrën Qendrore të ATK-së.

Sipas këtij vendimi, Qerimi në këtë pozitë do të qëndrojë deri në një vendim përfundimtar nga Komisioni Disiplinor. Kjo ngase me vendimin e datës 27 prill 2021 të këtij komisioni, ishte pezulluar procedura disiplinore që kishte nisur ndaj Qerimit, deri në përfundim të procedurës penale ndaj tij.

Ndryshe, hetimet ndaj tij fillimisht kishin nisur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e pastaj lënda ishte transferuar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Nga kjo e fundit “Betimi për Drejtësi” është informuar se rasti ndaj Qerimit është akoma në fazën e hetimeve.

Kurse zyrtari tjetër i ATK-së, Burim Troni, edhe pse është i akuzuar për mosraportim të pasurisë, përmes një vendimi të drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj, të datës 17 dhjetor 2021, nga pozita e ndihmësit të drejtorit rajonal është caktuar në pozitën e zëvendësit të drejtorit të Shërbimit dhe Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative (ZGJONA).

Troni këtë pozitë do ta mbajë deri në përfundimin e procesit të rekrutimit për pozitën drejtorit të Shërbimit dhe ZGJONA, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetim thuhet se vendimi është marrë pasi pozita e drejtorit ka mbetur e lirë, për shkak se nëpunësi civil që ka pasur këtë pozitë ka marrë pozitën e zyrtarit publik.

Ndryshe, aktakuza ndaj Burim Tronit është ngritur në qershor të vitit 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me arsyetimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

I njëjti në seancën fillestare të mbajtur më 7 tetor të vitit të kaluar, për të cilën ka raportuar “Betimi për Drejtësi”, është deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Të ngjashme