Lajme
Stagnimi në dimensionet e Sigurisë Kibernetike në Republikën e Kosovës
Demokracia
18:33 | 09 Shkurt 2021

Share:

Në dekadën kur kemi hyrë në një dimension tjetër të luftës, sulmet kibernetike janë në rritje eksponenciale. Sidomos ato të ekzekutuara nga grupe që marrin udhëzime dhe mbështetje nga një shtet. Në mënyrë që të vjedhin të dhëna, të prishin operacione ose të shkatërrojnë infrastrukturat kritike.

Ne si “VOID | International” i kushtojmë vëmendje të veçantë grupeve të avancuara të kërcënimeve të vazhdueshme (APT), me zbatimin tonë të algoritmeve AI/ML brenda infrastrukturës tonë thelbësore të APT-së të zbatuar nga ekipi ynë i Kërkimeve dhe Zhvillimit (Research and Development), që analizon dhe lidh marrëdhëniet e APT-ve të ndryshme në sulmet e tyre të suksesshme në botë.

Infrastruktura jonë kryesore përdor grupe të mëdha të të dhënave në kohë reale si dhe njoftimet që grupet e APT-ve të ndryshme publikojnë ose komunikojnë në lidhje me punën e tyre.

Në etapën e re të dimensionit të ri për krijimin dhe zhvillimin e luftërave, avancimi i agjendave shtetërore bëhet jo më me burime njerëzore që mbledhin informata në terren, por me krijimin e mundësive që edhe nëse gjendesh në një pjesë krejt tjetër të globit, të jesh në gjendje të mbledhësh informacione dhe të avancosh agjendën dhe t’i kundërvihesh shtetit kundërshtar.

Në Ballkan, ashtu si në të gjithë botën, transformimi digjital, nuk është një koncept abstrakt por tanimë është një realitet, me fokus sidomos në sektorin publik. Kosova po bën transformime digjitale në lidhje me proceset e një shteti.

Unë besoj fuqishëm se shtetet duhet të përpiqen të sinkronizojnë strategjinë e vet të transformimit digjital me një strategji të sigurisë kibernetike. Përndryshe, do të krijojë parakushte për një katastrofë kibernetike duke vënë në rrezik të dhënat e qytetarëve të saj, të dhënat e punëtorëve publikë si dhe të dhënat e ndërmarrjeve.

Në fakt, qasja e pa-autorizuar dhe mundësia të jesh në gjendje të lexosh këto të dhëna, të kopjosh dhe të ndryshosh integritetin në tërësi, për shtetin është një dështim i madh dhe është një Emergjencë Nacionale.

Ku po ngec Kosova?

Rasti i Republikës së Kosovës është një rast specifik i mungesës së konceptit dhe legjislacionit që rrit sigurinë kibernetike në çdo softuer ose sistem të implementuar në rrjetet shtetërore, qoftë të vetë-krijuara nga departamentet e shtetit, ose të ofruara dhe të implementuara nga operatorët ekonomikë për shtetin.

Një gjë që duhet parë dhe adresuar nga institucionet e sigurisë dhe konkretisht nga Ministria e Mbrojtjes, pasi ka dëshmuar përvojën e tyre në vend, është krijimi i task forcave, ose nën-departamenteve, që adresojnë ose monitorojnë standardet e përcaktuara nga legjislacioni e që duhet të krijohet për softuer dhe sisteme që implementohen, pasi ky proces specifik nuk mbikëqyret dhe nuk ka asnjë standard të sigurisë kibernetike për asnjë lloj procesi.

Prandaj, funksionalizimi i koncepteve më shumë sesa thjesht përmendja e fenomenit ose koncepteve të sigurisë kibernetike, është një nga pikat në të cilat Republika e Kosovës duhet “të ndezë motorët” dhe të punojë për të ngritur kapacitetet dhe për të garantuar sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve.

(Autori është themeluesi i “VOID | International”, kompani ndërkombëtare e suksesshme me fokus në zhvillimin e mekanizmave të sigurisë kibernetike për mbrojtje nga kërcënimet e sofistikuara, në një shkallë globale).

Të ngjashme