Lajme
“Stagnim e degradim”; “merr borxhe për skema sociale”: Opozita e shqetësuar me veprimet e Qeverisë Kurti
Demokracia
15:37 | 27 Shkurt 2024

Share:

Opozita ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti për shpenzim të buxhetit shtetëror. Zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së kanë vlerësuar se Qeveria Kurti po vepron kundër parime të financave publike, duke huazuar para për t`i shpenzuar ato në skema sociale.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar dështimet e qeverisë për borxhin shtetëror.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se deri me tani asnjë qeveria nuk ka hyr në borxhe për skema sociale.

Si parim, borxhi shtetëror merret për projekte kapitale që përdoren për dekada dhe kthehet nga përfitimet që vijnë nga shfrytëzimi i atyre projekte. Por qeveria aktuale, pa pasur asnjë krizë buxhetore, ka marrë borxh për skema sociale dhe për shkrimin e ligjeve. Kjo është në kundërshtim me parimet e financave publike. Kjo tregon mungesën e strategjisë kombëtare që përcakton dy çështjet kryesore të borxhit shtetëror: (i) kur merret borxhi shtetëror dhe në çfarë shume dhe (ii) cilat janë projektet që financohen me borxh shtetëror.” , ka shkruar Hoti.

Ai ka bërë me dije se gjatë Qeverisë Kurti nuk janë përmirësuar indikatorët kryesorë të borxhit publik.

“1.Asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes aktuale. Për korrektësi, krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023: Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023; Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023; Norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023; 2. Disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë jo efektiv. Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”, ka shkruar ai.

Mënyrën e harxhimit të parasë publike nga qeveria e ka kritikuar edhe koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa.

Ai ka treguar se nga 90.4 milionë euro të shpenzuara në kuadër të programit për Ringjallje Ekonomike, qeveria vetëm rreth 7.8 milionë euro ka destinuar si mbështetje për bizneset.

Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se 69 milionë euro kjo qeveria ka shpenzuar për transferet prej 100 euro si shtesa për fëmijë dhe pensionistë.

Nga 90.4 milionë euro të shpenzuara në kuadër të programit për Ringjallje Ekonomike, vetëm rreth 7.8 milionë euro janë destinuar si mbështetje për bizneset, ndërsa 69 milionë euro janë shpenzuar për transferet prej 100 euro si shtesa për fëmijë dhe pensionistë. Ky është shteti “zhvillimor” i Vetëvendosjes, që nuk ka të bëjë me zhvillim e as ringjallje, por vetëm me stagnim e degradim!”, ka shkruar Mustafa.

Pavarësisht kritikave të opozitës, zyrtarët qeveritarë pretendojnë së kjo qeveri po e bën më të mirën në këtë fushë.

Të ngjashme