Lajme
Stafi i centraleve bërthamore në Ukrainë “po mbahet peng”
Demokracia
19:42 | 04 Mars 2022

Share:

Stafi i centraleve bërthamore ukrainase, në Zaporizhja dhe Çernobil, po mbahet peng nga forcat ruse, dhe po punon nën kërcënimin e armëve, sipas ish-udhëheqësit të inspektoratit bërthamor në Ukrainë.

Kujtojmë se trupat ruse kanë sulmuar centralin berthamor të Zaporizhjas.

Ndërsa në gjithë botën ka pasur reagime pas sulmit rus në centralin më të madh bërthamor në Zaporizhja, në jug të Ukrainës.

Sulmi ka nxitur zjarr në një ndërtesë administrative, mirëpo vetë centrali është i sigurt – ndonëse nën kontrollin rus.

“Veprimet e pamatura të presidentit rus, Vladimir Putin mund të kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë e gjithë Evropës”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

“Nuk është e rrezikshme vetëm për Ukrainën dhe rusët, është e rrezikshme për Evropën, dhe është lojë me zjarrin që vërtet është përtej asaj që ka të bëjë me logjikën apo domosdoshmërinë”, ka thënë Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të ndalen menjëherë”, derisa presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje Moskës të ndalë aktivitetet rreth zonës, shkruan REL.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi demonstron “pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e dhënies fund të saj”.

Në një deklaratë nga kryeministri italian, Mario Draghi, sulmi është konsideruar i “tmerrshëm” dhe “sulm ndaj sigurisë së secilit”, dhe i është bërë thirrje BE-së “të vazhdojë të reagojë me unitet dhe vendosmëri” për të mbështetur Ukrainën.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, ka dënuar po ashtu këtë sulm. “Ky lloj i sulmit është çmenduri”, ka thënë ai.

Të ngjashme