Lajme
“S’shohin, s’dëgjojnë, s’bëjnë”: Gërvalla në ‘luftë’ me gjysmën e botës që ka njohur Kosovën
Demokracia
21:26 | 09 Korrik 2023

Share:

Ajo që nuk shihet dhe nuk dëgjohet, nuk ekziston. Së paku në botën praktike e të përditshme të gjërave. Punët s’i janë parë dhe s’i janë dëgjuar, dhe rrjedhimisht ato edhe s’ekzistojnë.

Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme, ‘punët’ i nisi me ngatërrim flamujsh në Twitter, dhe aty ku mungonte gjeografia elementare, gjeopolitika rrjedhimisht se do të ishte lëndë edhe më e rëndë.

Nuk është marrë me shtetet mosnjohëse (gjysma e botës), por është marrë me gjysmën e botës tjetër, atë njohëse. Por, për t’i kritikuar, qortuar, e bërë ‘rezil’. Kryediplomate e një shteti të panjohur plotësisht në fushēn ndërkombëtare, do t’ua mësyente qortimeve publike të shteteve si ShBA-të dhe organizatave si BE.

Që nga agresioni rus mbi Ukrainën, ajo s’do të dinte të bënte gjë tjetër, përveç të merrej me Vladimir Putinin e në të njëjtën kohë duke i mëshuar Perëndimit për qasjen, “gabimet”, e shumëçka tjetër për atë luftë.

Fjala “luftë”, “vdekje” dhe “Serbi” do të futej thellë në vokabularin e saj. “Serbia mund të nis luftë”, do të ishte paramendimi që dëshironte ta bartte e përçonte kudo që do të gjendej dhe atë panumërueshëm herë.

E këtu ajo do të kthehej në vetëm atë se sa e keqe është Serbia, por pa bërë ndonjë punë të mirë për vendin të cilit supozohet se duhet t’i shërbejë, përcjell Nacionale.

Por, për atë se askush s’po e dëgjonte, do të kërkonte që të gjithë diplomatët perëndimorë në vend të ndërroheshin. S’po dinë, s’po dëgjojnë, s’po marrin vesh – përkthehej e gjithë ofshama e saj.

Në një intervistë dhënë më 21 qershor në “Der Standard” ajo do të shpërfaqte një nivel të thellë mosdurimi (sigurisht nga mosdija) me Perëndimin.

“Nuk duan të shohin as të dëgjojnë”, do t’ia vendoste gazeta austriake në titull fjalën Donika Gërvallës, referuar Perëndimit.

“Po bëjnë gabime serioze strategjike”, do të shprehej ajo në tone qortuese ndaj mbarë komunitetit Trans-Atlantik, në (asokohe) prospektin për masa (tash të vendosura) sanksinuese ndaj Kosovës.

Dhe, kjo, pas vendimin qeveritar strategjikisht të pamenduar të dërgimit të tre kryetarëve me nga 100 vota e me një aparaturë të tërë policore speciale në veri të Kosovës.

Po qe se perëndimi vendos masa ndaj Kosovës, do të vendoste theksin ajo, “është sinjal fatal”.

“Do të ketë vdekje nëse Vuçiq nuk ndalet”, paralajmëronte ajo, për kush-e-di-të-satën-herë, ku “vdekjet” dhe “luftërat” i kishin hyrë në fjalorin e saj kudo që gjendej.

Perëndimi këtu do të shënohej për fajtor. Madje, i binte borisë së konstatimeve pa pikë sensi, “kjo vendos në pikëpyetje parimet dhe mbështetshmërinë e Perëndimit globalisht”.

Këtu do të pasonte një nga deklarata më skandaloze e saj. Kjo çfarë po i kërkohet Kosovës nga perëndimi (ShBA dhe BE) përmes planit tre-pikësh, sipas Gërvallës, është “vetëvrasje politike”.

E këtë “vetëvrasje”, Kosova “nuk e bën”, do t’i thoshte Gërvalla gazetës austriake.

E në një logjikë krejtësisht jodiplomatike, ajo do të bënte një diferencim që s’e bën kush. Janë “disa diplomatë”, tha ajo duke iu referuar diplomatëve të shteteve të QUINT-it meqënëse kërkesat nga shtetet respektive barten përmes tyre, “që duan ta fusin rajonin në luftë”.

“Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë. Ne, si Perëndimi në tërësi, nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë ta fusin rajonin në luftë në një aleancë jo të shenjtë me përfaqësuesin e Putinit, Vuçiç. Në çdo rast ne do ta mbrojmë vendin tonë sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiqin nuk e ndalon dot as me para, as me qetësim, vetëm me një qëndrim kristal. BE-ja nuk e ka këtë sepse nuk është dakord”, do të thoshte Gërvalla.

Javë më vonë, ajo do t’i mëshonte mbarë Perëndimit. Kjo s’kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e re të shtetit kosovar.

Pa pikë nevoje dhe pa pikë sensi, ajo do të shqiptonte sllogan të dikatorit më famëkeq kinez mbase në historinë botërore, Mao Zedong, për të ilustruar, sipas saj, atë që është BE-ja. “Tigër prej letre”, tha ajo, “është BE-ja” duke folur për gjoja “në terma sigurie”. Këtu do të binte heshtje keqardhëse tek panelistët.

“Një çështje kyçe për sigurinë e Ballkanin Perëndimor është – dhe këtë pyetje ia shtrojmë vetes – a mundet Bashkimi Evropian, dhe a është Bashkimi Evropian uniteti, unioni që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Vlerësimi është që BE nuk mundet”, do të thoshte Gërvalla. Këtë, tha ajo, e thotë edhe një “analist gjerman”.

Dhimbja veç shkon e thellohet. Bashkimi Evropian, tha ajo, “nuk është i aftë dhe nuk mundet të jep siguri”.

“Arsyet janë të qarta: nuk ka vullnet politik; shumë pabashkësi në union; dhe pa ShBA’në dhe NATO’n, BE-ja është tigër prej letre në terma sigurie”.

Duke u lëshuar krejtësisht në autopilot të pamençurisë diplomatike, Gërvalla, do ta çonte tej e më tej fyerjen.

“Dhe, për shkak se BE e di këtë (që është tigër prej letre) i kthehet ‘të marrit me të mirë’ përsëri e përsëri. Por, kjo është e rrezikshme. Të marrit me të mirë Putinin e ftuan atë të përshkallëzojë, dhe BE me të marrin me të mirë të aktorëve agresivë në rajonin tonë po ftojnë autokratët për të përshkallëzuar gjendjen më tej; që ta testojnë Perëndimin e mbase të nisin edhe luftë”.

BE është krejtësisht e “shkymur” ndaj realitetit, tha ajo.

Çfarë (s’)po bën BE-ja, do të vazhdonte Gërvalla në pamendësi totale, tha është e njëjtë me vitet “1939”, do të thotë duke krijuar paralele me pasivitetin perëndimor ndaj luftërave që do të niste diktatori gjerman Adolf Hitler.

S’është sefte kjo, do të vazhdonte Gërvalla.

“Nuk është ky qëndrim i ri i fuqive perëndimore, por si më 2014, 1939, 1991, 1992, 1999. Nuk ka storje suksese në BE-në që provon të parandalojë luftën”.

Këtu do të ndalonte për të sulmuar tërë diplomacinë evropiane dhe amerikane në Prishtinë. “Duhet strategji e re, njerëz të ri që shohin për mënyra më të mira”, tha Gërvalla duke i goditur në rend të gjithë ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë.

Është “katastrof”, tha ajo, duke folur për ndërmjetësusesit, që brenda dy viteve të kenë rënë “kaq shumë” në besueshmërinë e tyre në Kosovë.

“Nuk e shohim ne BE-në si një lopë me para për ta mbjelur”, tha Gërvalla, duke provuar të shënojë dallim me atë se çfarë bën Serbia. “Ne jemi te interesuar në vlerat evropiane, jo paratë”.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024