Vendimi i Ministrisë së Rozeta Hajdarit, për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës – që praktikisht i bie mbyllje e televizionit prej sot, ka alarmuar shoqërinë kosovare. Ky vendim, merr përmasat e një shteti autoritar, duke qenë që godet drejtpërdrejt – për herë të parë në historinë e saj që prej shpalljes së pavarësisë – fjalën e lirë në Kosovë. Por, çka ndodh tash e tutje me Klan Kosovën?
Sipas një sqarimi të juristes më të njohur të medias në Kosovë, znj.Flutura Kusari, tani Klan Kosova mund ta dërgojë në Gjykatë një ankesë për këtë vendim. Sipas sqarimeve të znj.Kusari dhënë para pak ditësh në Klan, transmeton Periskopi, në rast se Gjykata e refuzon këtë ankesë të Klan Kosovës, praktikisht, i bie që ‘mediumit duhet t’i vendoset shiriti (i mbylljes, v.j.)
“Skenari më i keq, është që Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave ku është ankuar Klan Kosova vendos ta refuzojë, ju keni të drejtë pastaj me shku në Gjykatë dhe me kërku që vendimi që merr Ministria me shty ekzekutimin.
Në parim, si juriste mendoj që ai propozim duhet të merret menjëherë, por ta zëmë që gjykatësi nuk bindet. Ky është skenari negativ. Kjo nënkupton se ju duhet me mbyllë Klan Kosovën, sepse nuk keni certifikatë biznesi dhe operimi pa atë certifikatë është i jashtëligjshëm.
Fizikisht i bie me e qitë një shirit rreth Klan Kosovës dhe me u ndalë puna. Dhe me automatizëm KPM është e obligume ju me e ndalë sinjalin.
S’është me rëndësi më se cka mendon KPM, por është e obligume që për shkak të mungesës së certifikatës me e mbyllë Klanin.
Por unë kam shumë shpresë, që Gjykata s’ka me e leju këtë”, pati deklaruar Kusari në debatin e Klanit para pak ditësh, përcjell Periskopi.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pati deklaruar po ashtu në atë debat, se kryeministri Kurti, nuk do të duhej të lejonte – siç u shpreh ai – ‘të bëhet pazar me demokracinë’.
Ai pati sqaruar kështu se çka ndodh tutje me rastin e Klanit, nëse do të merrej vendimi i cili u mor sot.
“Si jurist, pasi kemi analizuar ligjet dhe Kushtetutën, parimet bazë që kanë të bëjnë me funksionimin e një organi medial, secili gjyqtar që merr kërkesën për masën e sigurisë por edhe padinë ndaj vendimit të Komisionit, ai gjyqtar e ka shumë të vështirë mos me e mirtau kërkesën e masës të sigurisë për mos me e ngri vendimin e ARBK-së, derisa të vendos Gjykata në bazë të meritës.
Për Klan Kosovën, është me rëndësi që vendimi i ARBK-së pra me u caktu masë, mos me qenë i zbatueshëm pastaj Gjykata mund t’i marr gjashtë muaj, një vjet dy derisa të vendosë në bazë të meritave, por pastaj gjykatësi kur të mendon që janë 3-400 punëtorë, është demokracia, është liria e mediave, është shumë problem mos me e caktu masën e sigurisë deri në një vendim meritorë”, tha ai, përcjell Periskopi.
“Besoj shumë se nëse Komisioni shqyrton ankesën tuaj në bazë të ligjit dhe është e vërtetë që iu keni shmangë të gjitha gabimeve teknike, s’ka vendim tjetër vetëm që t’i kthehet licenca Klan Kosovës.
Unë besoj që këto janë probleme bazike në të cilat Kosova s’ia ka pasë borxh Kushtetutës, demokracisë e disa vlerave që së paku deri tani i kemi konsideruar si të mirëqena.
Një cështje puro teknike, me u kthy në një mega skandal ndërkombëtar, nuk është dashur të ndodhë.
Nëse ARBK ka vendosë ka evidentu që ka pasë probleme teknike, ka pasur obligim ta thërras përfaqsuesin e Klan Kosovës që t’i shmang ato gabime.
Nuk mund të bëhet pazar me demokracinë, me lirinë e mediave. Besoj se kryeministri Kurti duhet të ketë ndikim dhe duhet të marrë vendim që mos të përsëritet ky gabim. Nëse Kurti përnjëmend e don Republikën, ta përkthej në veprime dhe veprimi i parë është që pas vendimit të Komisionit ta shkakrojë këtë ministre”, pati deklaruar Miftaraj, përcjell Periskopi.
AGK-ja e tronditur me vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosova
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.
AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Çka thotë vendimi i sotëm i Ministrisë së Rozeta Hajdarit?
Njoftimi i plotë:
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njofton opinionin publik se, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë sot vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”. Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.
Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.
Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.
Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?
Me këtë rast, rikujtojmë se në bazë të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj. Me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit të Republikës së Kosovës.
KUJTOJMË SE: Për rastin e Klan Kosovës, kanë reaguar pothuajse të gjitha Ambasadat e huaja në vendin tonë. Po ashtu, ka pasur shumë reagime edhe nga organizata ndërkombëtare të gazetarisë.