Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka sqaruar se vendimi për të treguar testin RT-PCR negativ për COVID-19 është marrë para disa muajsh dhe nuk ka pasur ndryshime.
Ky njoftim për media vjen pasi në rrjete sociale u shpërndanë disa lajme se vendimi është marrë dje, në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Demokracia.com.
“Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e saj për manipulimin në opinion nga individë të papërgjegjshëm dhe me qëllime të caktuara që po i bëhet vendimeve të fundit të Qeverisë lidhur me masat anticovid. Në këtë mes, shquhet tendenca për të manipuluar me diasporën si target grup, ne emër të gjoja vendimit të “ri” për PCR teste me rastin e ardhjes në Kosovë. Testi PCR negativ nuk është vendosur në vendimin e djeshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por ka qenë pikë e çdo vendimi të kësaj qeverie rreth Covid -19”, thuhet në sqarim.
Ndryshe, qytetarët që vijnë në Kosovë nga vendet me rrezik të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dje ka liruar masat anti-Covid, duke e hequr kështu orën policore në qytetet që kanë qenë në zonën e kuqe./Demokracia.com/