Sport
Sporti një vit përballje me koronavirusin: Lufta dhe mbijetesa po bëhet çdo herë e më e vështirë
Demokracia
11:54 | 10 Mars 2021

Share:

13 marsi i vitit 2020 ishte data kur Kosova shënoi rastin e parë me COVID-19. Që nga ajo kohë vendi nisi të ndërmarrë masa të ndryshme në luftë për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të frikshme.

Tash një vit pas, situata vazhdon të mbetet e rënduar për të mos thënë shumë më e keqe se atëherë, madje pa sinjale pozitive se kur mund t’i jepet fund kësaj lufte të tmerrshme dhe misterioze, shkruan Demokracia.com.

Shteti ynë, si një vend i vogël me një ekonomi jo stabile, por përballet me probleme të mëdha, derisa kjo më së shumti po vërehet edhe në sport tek federatat, klubet dhe sportistët që mezi po i mbijetojnë kësaj situate.

Komiteti Olimpik i Kosovës si institucioni më i lartë në vend po e përjeton më së keqi këtë gjendje, pasi edhe barra më së shumti bie mbi të për të gjetur një zgjidhje.

Numri një i KOK-ut, Besim Hasani në një rrëfim për Demokracia.com, ka përshkruar problemet që ka sjellë koronavirus në sportin kosovar, por edhe pasojat që mund t’i lë ai në të ardhmen.

“Është fakt i pamohueshëm që të gjitha federatat të gjendura në një situatë të re të krijuar nga pandemia, filluan t’i përshtaten kush më pak e kush më shumë, këtë e kanë bërë me sukses dhe këtu duhet dalluar xhudon, e cila që nga dita e parë u karantinua dhe jetuan si një familje e tërë. Aty ushqeheshin, aty flinin, por e kanë shfrytëzuar në maksimum, dhe duke u shërbyer nga ky model edhe federata tjera kanë bërë.

Mund të them se edhe federatat ia kanë dal të adaptohen dhe të ruajnë formën e sportistëve, sidomos në sportet individuale, ku mundësitë ishin më të mëdha për grumbullim në një vend të caktuar dhe për të mos humbur asgjë nga përgatitja kondicionale dhe përgatitja tekniko-taktike. Kështu që, unë i përgëzoj të gjitha këto federata që ia kanë dalë të gjejnë modelet më të mira, disa prej tyre kanë qenë edhe të ndihmuara nga federatat përkatëse ndërkombëtare, por në vazhdimësi një falënderim tjetër ua kemi borxh sportistëve dhe trajnerëve, që shfaqën disiplinë dhe respekt ndaj të gjitha këshillave që erdhën nga Instituti Kombëtar Shëndetësor i Kosovës dhe organizatat tjera përkatëse.

Nuk duhet harruar edhe ndihmën e Qeverisë në kuadër të pakos së rimëkëmbjes, para këto të cilat u transferuan direkt tek klubet, dhe që përfituese ishin sportistët. Ishte ky një infuzion i mirë, pasi shumë klube mbetën pa aktivitete, e si rrjedhojë shumë sportistë mbetën pa pagat e tyre”, tha Hasani.

“KOK-u nuk ka ndenjur duarkryq dhe ka organizuar trajnime ndërkombëtare për aftësi mentale për 40 sportistë elitarë dhe Shpresa Olimpike, si dhe për trajnerët. Një risi ka qenë edhe gatishmëria e trajnerit kampion olimpik, Driton Kuka, që edhe ai t’i ndajë përvojat e tij se si e bënë përgatitjen për një cikël olimpik me sportistët e tyre, dhe mund të them që i ka admiruar të gjithë vijuesit e trajnimit, për çka e falënderoj përzemërsisht Driton Kukën, për gatishmërinë që t’i ndajë sekretet e tij me trajnerit”, ka thënë Hasani duke shtuar se pandemia ka penguar në arritjen e disa sukseseve që ishin pritur nga sportistët tanë.

“Përkundër pandemisë, 2020-ta shënoi suksese në garat ndërkombëtare, mirëpo këto suksese ishin më të vogla shkaku i anulimit të garave ndërkombëtare. Fituam 13 medalje evropiane, prej tyre dy medalje për seniore të fituara nga xhudistët, Distria Krasniqi e Loriana Kuka. Pastaj kishte edhe medalje për të rinj nga karate, boksi, xhudo, taekwondo, si dhe tri medalje ballkanike.

Tashmë kemi gjashtë norma olimpike, pesë nga xhudo dhe një nga mundja, andaj Kosova do të paraqitet me së paku gjashtë norma olimpike. Të kesh normë është të jesh në mesin e 16 më të mirëve në botë dhe me një luftë ose dy luftëra je afër medaljes, ndërsa lufta e tretë ose e katërt të stolis me medalje. Jemi në një situatë të cilën e kemi shfrytëzuar mjaftë mirë, jemi në garë edhe për norma tjera”, vlerësoi numri një i KOK-ut, i cili përkundër situatës së vështirë ka falënderuar federatat për punën që kanë bërë.

Por cili ka qenë roli i KOK-ut në këtë situatë dhe sa ka mundur ai t’i përgjigjet kërkesave të sportistëve.

“KOK-u organizoi takime të ndryshime në mënyrë virtuale me federatat sportive, ministren Vlora Dumoshi, ish ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrin në detyrë, Armend Zemaj, me të cilët patëm bashkëpunim të frytshëm dhe bashkërisht mundoheshim të gjenim zgjidhjet më të duhura për masat e marra.

KOK ka hequr shpenzimet e karantinimit të ekipit Olimpik të xhudos, pastaj përgatitjet e tyre në kampe të ndryshme, përgatitjet e boksit, mundjes etj., të cilët pavarësisht pandemisë nuk i ndalen përgatitjet të cilat për ta janë kruciale shkaku i rrugëtimit drejt Lojërave Olimpike Tokio 2020”, ka përfunduar Besim Hasani.

 Futbolli sektori më i goditur, shteti sikur i harroi klubet

Padyshim njëri nga sportet më goditura është futbolli kjo pasi në këtë sektor investohet shumë dhe sigurisht mungesa e financave vërehet menjëherë. Klubet tash e një vjet aktivitetet e tyre i zhvillojnë pa tifozë, burimi pothuaj i vetëm i të ardhurave të klubeve. Kjo ka bërë që donatorët të mbesin vetëm dhe gjitha shpenzimet t’i mbulojnë nga xhepat e tyre.

Njëri nga financuesit më të mëdhenj në Kosovë në vitet e fundit është presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj.

Ai për Demokracia.com, ka folur për vështirësitë që i ka sjell kjo situatë, derisa ka thënë se shteti ka bërë shumë pak për ta, e ku në të vërtet ka mundur të bëjë shumë më shumë siç bën vendet tjera.

“Kjo periudhë ka lënë pasoja të mëdha, sidomos te kompanitë e mëdha dhe ato të mesme”, ka thënë fillimisht Ramaj, duke folur më pas për ndihmën apo jo nga shteti gjatë kësaj kohe.

“Nga shteti nuk kemi pasur ndihmesë aspak, them përveç dy rasteve ku ju kanë paguar sportistëve nga 300 euro. E keqja është se edhe pse jemi në kohë epidemie as tatimin në pagë nuk e kanë ndërprerë, madje presionet më të mëdha i kemi nga vet shteti që të kryhen obligimet”, vlerësoi numri një i Feronikelit.

Padyshim kjo situatë, të cilës për fat të keq tash për tash nuk po i shihet fundit, mund të lë pasoja të mëdha edhe në të ardhmen. Këtë gjë e thotë edhe presidenti Ramaj

“Pasojat do jenë të paparashikueshme po që nuk ndërmerren shpejt diçka dhe të vaksinohet populli në mënyrë që të kthehet jeta normale”, ka përfunduar Naser Ramaj.

Futbollisti që u përball me koronavirusin: Situatë e keqe, pasojat janë të mëdha

Gjithsesi, nga kjo situatë shumë keq kanë pësuar edhe sportistët. Në një kohë vendi ishte i mbyllur dhe ata shtëpitë e tyre i shndërruar në palestra sportive në mënyrë që të mbahet forma fizike. Fatmirësisht sot aktivitet po zhvillohen por vështirësitë janë të mëdha. Futbollisti i Prishtinës, Alban Muçiqi që u përballë vet me koronavirusin ka folur për vështirësitë që i ka shkaktuar ai.

“Pesë ditë para se të shkojmë në stërvitje jashtë vendit me klubin dola pozitiv dhe u desh të izolohem. I humba stërvitjet kryesore”, ka thënë Muçiqi për Demokracia.com i cili në mungesë të stërvitjeve edhe e humbi pozitën në fushë.

“Mungesa në stërvitje e ka bërë të vetën. Gjithsesi, tash po punojë shumë dhe me ndihmën e stafit teknik-trajnerët e klubit po mundohem sa më shpejt ta kthejë formën fizike dhe t’i kthehem fushës”, ka përfunduar Alban Muçiqi.

Kosova ka paralajmëruar se në muajin mars në vendin tonë do të vijnë vaksinat kundër koronavirusit, derisa KOK-u ka paralajmëruar se do të ketë takime me institucionet në mënyrë që vaksinimi t’u sigurohet edhe sportistëve që ata pastaj të jenë më të lirë të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Gjithsesi, deri atëherë gjithçka mbetet vetëm për t’u shpresuar. /Demokracia.com

Të ngjashme