Lajme
S’po koordinohen për asnjë veprim në veri, ministrja Haxhiu kërkon përkrahje nga ndërkombëtarët
Demokracia
14:15 | 22 Maj 2024

Share:

Dita e martë u përcoll me reagime të ashpra nga partnerët ndërkombëtarë, të cilat cilësuar se aksioni i Policisë së Kosovës në veri, u bë pa u koordinuar me ta.

Ndërkohë, në lidhje me këtë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se “aksioni ishte i ligjshëm dhe se partnerët duhet ta përkrahin Kosovën e ta ndihmojnë në këtë përpjekje”.

“Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj edhe besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit ligjit më çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje. Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen.” – ka thënë ajo sipas “EO”.

Çka ndodhi?

Policia e Kosovës të hënën njoftoi janë mbyllur gjashtë njësi të të ashuquajtures “Banka Postare Kursimore”.

Aty, u bë e ditur se janë konfiskuar prova materiale, në mesin e tyre euro, dinarë e dollarë.

Në një reagim në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës, BE-ja mes tjerash do t’i shkruante edhe këta rreshta të ashpër:

“Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet më shumë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit ndërkaq, janë shprehur të zhgënjyer, pasi që sipas tyre, aksioni nuk ka qenë i koordinuar.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat.” – thuhej në përgjigje.

Të ngjashme