Lajme
Specialja ia vazhdon paraburgimin Rexhep Selimit
Demokracia
16:54 | 20 Korrik 2023

Share:

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë urdhëruar vazhdimin e masës së paraburgimit për Rexhep Selimin, i cili vendim është marr më 17 korrik.

Këtë e bëri të ditur Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në DhSK, përmes informimit javor për media.

‘‘Trupi Gjykues konstatoi se vazhdon të ekzistojë rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale kundër atyre që konsiderohen se janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë dëshmi apo mund të japin dëshmi në këtë çështje gjyqësor edhe/ose pritet të paraqiten në Gjykatë’’, tha ajo.

Griep tha se trupi gjykues arriti në përfundimin se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm me anë të zbatimit të kornizës për monitorimin e komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të DhSK-së.

Paraprakisht, ajo deklaroi se në gjykimin Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i 13-të i thirrur nga Prokuroria, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit të UÇK-së Rrustem Mustafa, përfundoi dhënien e dëshmisë të martën, i cili ka dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe u mor në pyetje nga Prokuroria, Mbrojtja dhe gjykatësit.

Po ashtu tha se dëshmitari i 14-të i Prokurorisë, Francis Ledwidge filloi dhënien e dëshmisë të martën, i cili është oficer i ushtrisë britanike që ka shërbyer në Kosovë gjatë kohës përkatëse dhe që dëshmoi pa masa mbrojtëse.

Kurse tha se dëshmitari i 15-të përfundoi dëshminë sot paradite, i cili dëshmoi përmes video-lidhjes me ndryshim të zërit dhe të pamjes, dhe u mor në pyetje nga ZPS-ja dhe gjykatësit.

Ndërkaq, lidhur me gjykimin e Pjetër Shalës, e njëjta tha se më 23 qershor, trupi gjykues vendosi të miratonte kërkesën e ZPS-së për pranimin e dëshmive me shkrim dhe provave materiale shoqëruese të dy dëshmitarëve, në vend që këta dëshmitarë të dëshmonin në sallën e gjyqit.

 

Në vendimin e vet, sipas saj trupi gjykues balancoi me kujdes nevojën për respektimin e të drejtave të të akuzuarit me nevojën për të siguruar shpejtësinë dhe efikasitetin e procesit.

‘‘Trupi gjykues konstatoi se dëshmitë e këtyre dy dëshmitarëve nuk kanë të bëjnë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarit, kanë fushëveprim të kufizuar pasi të dy dëshmitarët qenë në Kukës për një periudhë të kufizuar kohore dhe deklarata është përsëritëse ose konfirmuese e dëshmive të dëshmitarëve të tjerë që mbrojtja pati mundësinë t’i merrte në pyetje’’, deklaroi Griep, raporton‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Tutje, ajo tha se mbi këtë bazë, trupi gjykues gjykoi se paraqitja e këtyre provave sipas rregullës 153 nuk është mospërputhëse me të drejtat e të akuzuarit ose drejtësinë e gjykimit.

‘‘Rregulla 153 e Rregullores së Procedurës dhe Provave mundëson që trupi gjykues të identifikojë situata në të cilat nuk është e nevojshme që dëshmitari të japë dëshmi në sallën e gjyqit me qëllim thjeshtimin dhe përshpejtimin e procesit, duke ruajtur drejtësinë e gjykimit’’, sqaroi e njëjta.

Ndërkaq, tha se trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për leje për apelimin e këtij vendimi për shkak se tashmë kishte shqyrtuar shumicën e argumenteve të paraqitura nga mbrojtja në kërkesën e saj, në vendimin që kishte lëshuar më parë mbi këtë pikë.

Në lidhje me argumentin e mbrojtjes se pranimi i deklaratave me shkrim në vend të dëshmive gojore duhet të jetë “masë që përdoret si mjet i fundit” dhe vetëm kur është “rreptësisht e domosdoshme”, ajo tha se trupi gjykues konstatoi se mbrojtja kundërshton rregullën 153 në përgjithësi.

Në vazhdim tha se duke marrë parasysh se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është shqyrtuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese që ka konstatuar se nuk përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës, trupi gjykues gjykoi se mospajtimi me Rregulloren nuk mund të shërbejë si bazë për kërkesë për leje për apelimin e një vendimi.

Kurse deklaroi se në të njëjtën çështje gjyqësore, trupi gjykues miratoi kërkesën e mbrojtjes në lidhje me zgjatjen e afatit për dorëzimin e listës së dëshmitarëve dhe provave materiale të veta nga 17 korriku deri më 16 gusht.

‘‘Në të njëjtin vendim, trupi gjykues theksoi se nuk ndryshojnë datat e caktuara për konferencën përgatitore të mbrojtjes dhe fillimin e paraqitjes së provave prej mbrojtjes’’, tha ajo.

Më tej Griep tha se trupi gjykues vendosi që paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave dhe konferenca përgatitore e mbrojtjes të bëhen ndërmjet 21 dhe 25 gushtit dhe data e synuar që mbrojtja të fillojë me prezantimin e provave të saj është caktuar më 18 shtator 2023.

Në fund ajo njoftoi se periudha e pushimit të DhSK-së do të fillojë të hënën, 24 korrik, dhe do të zgjasë deri të premten, 11 gusht 2023 dhe se gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum.

Gjithsesi ajo tha se gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së ku gjatë pushimit mund të dorëzohen parashtrime dhe, vetëm në rast se gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

Ajo po ashtu njoftoi se nuk do të ketë informim javor për median gjatë pushimit të gjykatës, që do të thotë se informimi javor i ardhshëm për median është planifikuar për të enjten, 17 gusht, në orën 14:30.

Të ngjashme