Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur sërish akuza të rënda ndaj Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se posedon fakte që dëshmojnë manipulimin e procesit gjyqësor me “prova” të ofruara nga shteti serb.
Sipas tij, kjo është një çështje që është theksuar vazhdimisht nga ai dhe të tjerë, por tashmë po del në sipërfaqe me të dhëna të reja që, siç thotë, vërtetojnë pretendimet e bëra më herët.
“Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me ‘dokumente’ të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia”.
“Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla!Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me ‘prova’ nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni”, ka shkruar avokati në një postim publik, të cilit i ka bashkëngjitur edhe disa dokumente që ai i konsideron dëshmi të qarta të këtij manipulimi.
Ish- ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch është i bindur se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të dalë i pafajshëm.
“Nuk e prisja që të zgjaste kaq shumë, veçanërisht faza para-gjyqësore. Jam i bindur se kjo po ndodh sepse është në interesin e njerëzve që paguhen për këtë proces”.
“Nëse është një gjykatë serioze, ju do të shpalleni të pafajshëm, të gjithë ju, për mungesë të provave sepse në një gjykatë normale dënohen njerëzit vetëm nëse nuk ka dyshimin më të vogël”, tregon ai derisa kujton bisedën që kishte pasur me ish-presidentin lidhur me Gjykatën Speciale.
Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave – rasti nuk është përmbyllur
Zëdhënësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë me 3 prill mbajtën një konferencë për media për të raportuar mbi zhvillimet e procesit ndaj ish krerëve të UÇK-së, ku ishin të pranishëm gazetarë nga Prishtina.
Ata informuan se Prokuroria ka përfunduar zyrtarisht prezantimin e provave në gjykatë, por nuk e ka mbyllur ende rastin.
Sipas tyre, seanca e ardhshme është caktuar për 23 prill.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale ka thënë se në gjykatë kanë dëshmuar 125 dëshmitarë, kurse 117 me shkrim.
Njëjtë si Serbia, Prokuroria e Hagës i referohet Kosovës me “Kosovë dhe Metohi”
“Nga ajo që dimë është se Prokuroria ka konfirmuar se kanë përfunduar me prezantimin e provave, por nuk e kanë mbyllur rastin zyrtarisht. Seanca e radhës është caktuar më 23 prill. Prokuroria deri atëherë do ta përfundojë rastin…125 dëshmitarë kanë qenë, dhe 117 kanë dëshmuar vetëm me shkrim. 206 ditë të gjykimit, dhe 150 viktima”, tha ajo.
Griep shtoi se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara sigurojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke nënvizuar se ata janë të angazhuar për të zbatuar një kod etik.
Ndërsa, zëdhënësi tjetër, Michael Doyle, u shpreh se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë se Specialja sjell vendime të drejta, dhe se vendimi i gjyqtarëve bazohet vetëm në prova.
Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që viktimat dhe dëshmitarët të mund të japin dëshmi në një mjedis të sigurt dhe të dinjitetshëm.