Lajme
SPAK zbërthen aplikacionin Sky-Ecc – Breçani dhe i biri pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, zbardhen akuzat
Demokracia
22:50 | 20 Nëntor 2023

Share:

Ish-drejtori i Policisë Tiranë, Erzen Breçani, së bashku me djalin e tij të madh, Eralb Breçani, kanë rënë në rrjetën e SPAK dhe janë shoqëruar në Polici, së bashku me nëntë persona të tjerë, ku sipas një akuze të SPAK, ata janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ndër akuzat kryesore dhe më të rënda, janë pikërisht ai i grupit të strukturuar kriminal, trafikut të drogës, sigurimit të kushteve për të kryer vrasje, si edhe vepra të tjera penale, të cilat përfshijnë pastrimin e parave, shpërdorimin e detyrës dhe përkrahjen e autorit të krimit.

Këto hetime të thelluara, në bazë të asaj çfarë mëson Albanian Post mbi çështjen, janë bërë të mundura pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “Sky-Ecc”, i cili është ndër kryesorët për botën e krimit të organizuar.

Ndër urdhrat e tjerë të arrestit, bie në sy edhe ai ndaj shefit të Krimeve në Komisariatin numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, i cili po ashtu është arrestuar.

Ndaj këtij të fundit janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale. Një prej akuzave të ngritura është ajo e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.

Teksa, operacioni në tërësi është ende në vijim dhe pritet që vetë Prokuroria e Posaçme të bëjë me dije informata lidhur me arrestimet dhe të arrestuarit, si edhe me përfshirjen e Breçanit në këtë skemë, apo implikimet që ai mund të ketë në gjithë këtë zbërthim.

Të ngjashme