Lajme
Sot tentativa e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Demokracia
07:51 | 25 Prill 2025

Share:

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet.

Një tentativë e gjashtë në këtë drejtim do të bëhet sot. Kjo do të jetë seanca e gjashtë çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të mbetet emri i Albulena Haxhiut. Në tri votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të gjejnë një kandidat unifikues për këtë post, ngase siç kanë thënë ata emri i Albulena Hahxiut, për ta është i papranueshëm.

Por nga VV-ja gjatë ditës së djeshme e kanë bërë të qartë se nuk kanë hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e së mërkurës, Albulena Haxhiu nga LVV-ja, nuk arriti për herë të tretë që t’i sigurojë 61 vota për postin e kryeparlamentares.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), votuan kundër zgjedhjes së Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Seanca e sotme pritet të mbahet në ora 10:00. /Reporteri.net/

Të ngjashme
Lajme • 24 Prill 2025