Lajme
Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë
Demokracia
08:37 | 17 Maj 2024

Share:

Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, që ka nisur më 5 prill.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, të hënë njoftoi se deri më tani janë regjistruar 1.420.148 qytetarë.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se në tërësi procesi ka shkuar mirë, por disa komuna kanë kërkuar shtyrjen e procesit të regjistrimit. Nuk dihet ende nëse procesi do të shtyhet.

Pa përfshirë diasporën, Kosova pritet t’i ketë rreth 1.5 milion banorë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. “1.5 milionë banorë pritet t’i ketë Kosova pa përfshirë diasporën”, ka deklaruar Kastrati.

Regjistrimi po bëhet trembëdhjetë vjet pas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë. Regjistrimi i fundit i popullsisë është kryer në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Këtë herë, procesi u zhvillua me disa ndryshime. Ai u zhvillua t edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.

Me ligj, secili qytetar duhet të regjistrohet dhe të ofrojë të dhëna të sakta. Vetëm në dy pyetje që ju parashtrohen, kanë të drejtë të mos përgjigjen, ato për religjionin dhe etninë.

Kushdo që e bojkoton procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Të ngjashme