Lajme
Sot mbahen zgjedhjet në katër komunat në Veri
Demokracia
07:50 | 23 Prill 2023

Share:

Sot do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan dhe zgjedhjet për kuvende komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar zgjedhjet nuk është pritur mirë nga ndërkombëtarët.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”.

Në anën tjetër, autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.

KQZ ka njoftuar se ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi, ndërsa policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.

Të ngjashme