Lajme
Sot dita e fundit, Qeveria Kurti vazhdon ta mbaj sekret koeficientin e Ligjit të Pagave
Demokracia
09:33 | 31 Janar 2023

Share:

Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti,  kishte paralajmëruar se koeficienti i Ligjit të Pagave do të caktohet brenda muajit janar, mirëpo deri më sot një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke bërë që të mbetet e paqartë vlera e saj. Opozita dhe sindikatat në Kosovë kanë kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Kur kanë mbetur edhe pak orë nga përfundimi i janarit, Qeveria e Kosovës ende nuk ka caktuar vlerën e koeficientit ashtu siç ishte premtuar të ndodh brenda këtij muaji.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, presidentja Vjosa Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik po më 4 janar 2023”, shkruan Demokracia.com.

Pas dekretimit, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës ishte shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”.

Se koeficienti do të dërgohet në Kuvend brenda javës e kishte premtuar edhe shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

“Koeficientin shumë shpejtë Qeveria brenda pak ditësh, nëse jo këtë javë atëherë javën tjetër gjithsesi do ta përcjellin në Kuvend të miratuar në kuadër të Projektligjit të Buxhetit. Do të bëhet një ndryshim në buxhet, në mënyrë që të jetë fiks vlera e koeficientit, një praktikë që do ta lehtësojë trajtimin e koeficienteve të pagave gjatë viteve në vijim”, kishte thënë Kusari-Lila në një konferencë për medie.

Por, për shefin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri procesi i përcaktimit të koeficientit të pagave është jo-transparent.

“Këtë proces e ka karakterizuar një proces jo-transparent. Pra, përcaktimi i koeficientit të pagave do të duhej të mendohej si një debat i gjerë ndërmjet Qeverisë dhe akterëve të ndryshëm të shoqërisë, grupeve të interesit dhe përfaqësuesve të sindikatave”.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se çështja e koeficientit për Ligjin e Pagave nuk është duke u mbajtur fshehtë.

Murati përmes një konference për media ka thënë se vlera e koeficientit është duke u përllogaritur nga informatat që vijnë nga organizata të caktuara.

“Disa çështje i takojnë dikastereve të tjerë, ekipet po punojnë në aktet nënligjore. Edhe për koeficientin dhe tema tjera do të përditësohen. Koeficienti nuk është duke u mbajtur fshehur. Po përllogaritet ashtu siç vijnë informatat në organizatat buxhetore”.

Kujtojmë se, opozita ashtu dhe sindikatat në vend kanë kërkuar që koeficienti i pagave të mos jetë më i vogël se 120 euro.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, niveli 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, deri sa koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit dhe shefit të Qeverisë.

Ndryshim të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.

Për mjekët specialistë, koeficienti do të jetë 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme koeficienti është 5.6, përkatësisht 5.8. Me Ligjin e ri, koeficienti për policët është 5.

Koeficienti më i ulët është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Ligji i cili ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 27 Shkurt 2024