Lajme
Sondazhe shqetësuese për Bidenin: Shumica në ShBA s’pajtohen me të për luftën Izrael – Hamas
Demokracia
10:16 | 18 Nëntor 2023

Share:

Tri sondazhe u zhvilluan gjatë kësaj jave me të njëjtën pyetje në ShBA: A pajtoheni me trajtimin që po ia bën presidenti Joe Biden luftës Izrael – Hamas. Rezultatet do të duhej të ishin shqetësuese për të.

Sipas një sondazhi të zhvilluar për televizionet NPR dhe PBS nga kompania “Marist”, 53 për qind e votuesve të regjistruar nuk pajtohen me mënyrën se si Bideni e ka trajtuar luftën, ndërsa vetëm 41 për qind pajtohen.

Rezultate të ngjashme dolën edhe nga një sondazh i Universitetit të Quinnipiac-ut, ku 54 për qind e pjesëmarrësve thanë se nuk pajtohen me politikat e Bidenit rreth këtij konflikti, ndërsa vetëm 37 për qind i miratuan veprimet e tij, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Megjithatë, përkrahje e madhe për Bidenin duket se ekziston në mesin e komunitetit të hebrenjve amerikanë. Sipas një sondazhi të Institutit të Elektoratit Hebraik, 74 për qind e votuesve të regjistruar hebrenj pajtohen me trajtimin që ia ka bërë presidenti luftës Izrael – Hamas.

Bideni e ka mbështetur fuqishëm Izraelin gjatë luftës, duke nxitur kundërshtime nga e majta ekstreme, përfshirë disa ligjvënës të partisë së tij.

Shtëpia e Bardhë i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të bërë thirrje për armëpushim dhe, në vend të tij, ka kërkuar që të zbatohen pauza humanitare për t’i mundësuar hyrjen e ndihmave në Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Në sondazhin e Universitetit të Quinnipiac-ut, vetëm 22 për qind e republikanëve, të cilët zakonisht e përkrahin fuqishëm Izraelin, e miratuan trajtimin e luftës nga Bideni, ndërsa 77 për qind nuk u pajtuan me të.

Të ngjashme