Lajme
Somalia po ballafaqohet me mungesë ushqimi, qindra njerëz kanë vdekur
Demokracia
11:35 | 08 Qershor 2022

Share:

Asnjë nënë nuk do të duhej t’i humbte fëmijët e vet. Owliyo Hassan Salaad-it i kanë vdekur katër këtë vit. Thatësia në Bririn e Afrikës i ka marrë ata, një nga një.

Tash, ajo po e përkund djalin e dobët 3-vjeçar, Ali Osman, që po qan. Nëna e barti të birin 90 kilometra në këmbë nga fshati i saj deri në kryeqytetin somalez, duke synuar që të mos e humb edhe atë. E ulur në dyshemenë e një qendre për trajtimin e kequeshqyerjes, të mbushur me nëna në ankth, ajo mezi flet për trupat e vegjël, të varrosur në vendlindje, në tokën shumë të thatë për mbjellje.

Vdekjet kanë filluar që të shfaqen në thatësinë më të madhe në rajon në katër dekadat e fundit. Të dhënat e paraportuara më parë tregojnë për të paktën 448 vdekje këtë vit në qendrat për trajtimin e kequshqyerjes vetëm në Somali. Autoritetet në Somali, Etiopi dhe Keni tashmë po i përvishen detyrës së zymtë për ta shmangur urinë masive.

Shumë të tjerë po vdesin përtej vëmendjes së autoriteteve, si katër fëmijët e zonjës Salaad, të gjithë nën moshën 10-vjeçare. Disa vdesin në komunitete të skajshme blegtorale. Disa vdesin gjatë rrugëtimeve të gjata në këmbë, në kërkim të ndihmës. Disa vdesin edhe pas arritjes në kampet e të zhvendosurve, të kequshqyer përtej mundësisë për t’u ofruar ndihmë.

“Pa dyshim, mijëra kanë vdekur”, tha bashkërenduesi humanitar i OKB-së për Somalinë, Adam Abdelmoula, para gazetarëve të martën, ndonëse ende nuk kanë dalë të dhënat për ta përkrahur këtë pretendim.

Zonja Salaad la katër fëmijë të tjerë me bashkëshortin. Ajo tha se ata ishin shumë të dobët për ta bërë rrugëtimin deri në Mogadishu.

Thatësia vjen e shkon në Bririn e Afrikës, por kjo nuk është si të tjerat. Ndihmat humanitare janë penguar nga krizat globale si pandemia Covid-19 dhe tash lufta e Rusisë në Ukrainë. Çmimet e produkteve elementare si gruri dhe vaji ushqimor po rriten shpejt, në disa vende më shumë se 100 për qind. Miliona gjedhe, që u ofrojnë familjeve qumësht, mish dhe pasuri, kanë ngordhur. Edhe ushqimi i terapisë për trajtimin e personave të uritur si djali i zonjës Salaad po bëhet më i shtrenjtë dhe, në disa vende, mund të harxhohet.

Një “shpërthim i vdekjeve të fëmijëve” po vjen në Bririn e Afrikës, nëse bota përqendrohet vetëm në luftën në Ukrainë dhe nëse nuk vepron tash, tha të martën organizata UNICEF.

Ndërlikim të konsiderueshëm për llogaritjen e vdekjeve është grupi ekstremist, “Al Shabab”, i cili kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë qendrore dhe jugore dhe që paraqet pengesë për shpërndarjen e ndihmave. Reagimi i tij i ashpër ndaj urisë së shkaktuar nga thatësia në Somali në periudhën 2010 – 2012 ishte njëri nga faktorët për më shumë se 250.000 vdekje, më shumë se gjysma fëmijë.

Një faktor tjetër ishte reagimi i ngadalshëm i komunitetit ndërkombëtar. “Një dramë pa dëshmitarë”, kishte thënë bashkërenduesi humanitar i OKB-së për Somalinë në atë kohë. Tash, alarmi po dëgjohet përsëri.

Më shumë se 200.000 njerëz në Somali ballafaqohen me uri katastrofike e vdekje nga uria, rritje drastike nga 81.000, sa ishte parashikuar në prill, u tha në një deklaratë të përbashkët të agjencive të OKB-së të hënën, duke theksuar se një plan për reagim humanitar për këtë vit është financuar vetëm 18 për qind./Nacionale

 

Të ngjashme