Lajme
“Soma” e famshme e Prishtinës vëzhgon jashtëligjshëm klientët
Demokracia
17:50 | 17 Mars 2022

Share:

“Soma Book Station”, një restorant i famshëm i cili frekuentohet nga një elitë e ashtuquajtur e kryeqytetit, tash e një kohë ka vëzhguar përmes kamerave klientët e saj. Inspektorët e shtetit, i kanë konstatuar shkelje të privatësisë veprimet e biznesit.

Kritikat që e kishin vërshuar ish-ministrin Arben Vitia kur shpërtheu vala e tretë e rasteve me COVID-19, në majin e 2021-s, mbështeteshin kryesisht mbi një provë. Mbi një fotografi në të cilën ish-ministri i Shëndetësisë shfaqej i relaksuar në ambientet e “Soma Book Station”, një kafeneje në zë të Prishtinës.

Fotografia rrjedhi në publik nga një rivale politike e Vitisë, anëtare e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë. Fotografia ishte shkrepur nga kamera e një telefoni.

Arben Vitia në “Soma Book Station”/ 14.05.2021

Por, imazhet e ministrit në restorantin e kryeqytetit mund t’i ketë keqpërdorur edhe “Soma Book Station”, biznesi i gastronomisë në të cilën Vitia po shoqërohej me miq të tij në një mëngjes maji.

“Soma Book Station”, një kafene e famshme e cila frekuentohet nga një elitë e vetëshpallur e kryeqytetit, tash e një kohë ka vëzhguar përmes kamerave klientët e saj.

Kësisoj, ajo ka kryer shkelje të Ligjit për Privatësinë, ka konstatuar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në një vendim të nxjerrë më 7 mars, 2022, raporton Paparaci.

Inspektorët e shtetit, të cilët inspektuan njësinë e “Soma-s” në Gërmi më 2 mars, erdhën në përfundim se veprimet e biznesit kanë rezultuar në shkeljen e privatësisë të qindra klientëve.

Vendimi i agjencisë shtetërore e detyron restorantin që të ndalojë përpunimin e të dhënave personale përmes kamerave dhe t’i shkatërrojë të gjitha incizimet e kryera deri më 7 mars, 2022.

“’Urdhërohet Soma Sh.P.K dhe numri i njësisë 5141559, Gërmi – Prishtinë, të ndaloj përpunimin e të dhënave personale të marrura përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë”, thuhet në urdhrin shtetëror. “Urdhërohet Soma Sh.P.K, të bëjë shkatërrimin e të dhënave të grumbulluara përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë deri me datën e pranimit të këtij vendimi”.

Vendimi i AIP/ 07.03.2022

Sipas AIP-ës, vëzhgimi me kamerë mund të fillojë vetëm pas plotësimit të kushteve, të parapara me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kushtet, sipas Ligjit, plotësohen në koordinim me agjencinë.

Biznesi nuk i ka njoftuar as punëtorët e saj se janë nën vëzhgimin e kamerave, sqaron vendimi i AIP-ës.

“Gjithashtu Soma Sh.P.K nuk ka njoftuar punëtoret me shkrim për të drejta e tyre dhe arsyet për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë”, thuhet në vendim, raporton Paparaci.

Paparaci, kontaktoi të enjten Baton Domin, aksionarin kryesor dhe bashkë-pronarin e “Soma Book Station”, por ai refuzoi të komentonte ngjarjen derisa të rikthehet nga një udhëtim që tha se ka realizuar jashtë Kosovës.

Agjencia për Informim dhe Privatësi është agjenci e pavarur, përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

AIP funksion me qëllim që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të personave fizikë, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, si dhe garantimin e qasjes në dokumente publike.

Të ngjashme