Lajme
Solana: Ushtarët më të mirë në botë bombarduan Serbinë
Demokracia
16:24 | 24 Mars 2022

Share:

Më 24 mars të vitit 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së në atë kohë, Javier Solana, kishte dalë para mediave ku konfirmonte fillimin e bombardimeve kundër Jugosllavisë, në mënyrë që të parandalohet katastrofa humanitare në Kosovë.

Solana në këtë paraqitje kishte deklaruar se përgjegjësia e plotë për bombardimet qëndron mbi kriminelin serb, Sllobodan Millosheviq, përcjell Demokracia.com.

“Sapo jam informuar nga Komandanti Suprem, gjenerali Clark, se në këtë moment kanë nisur operacionet ajrore të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Gjatë muajve të fundit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka mundur të gjejë zgjidhje për Kosovën përmes negociatave. Por, nuk ka qenë krejt e pamundur. Përgjegjësia e plotë për bombardimet ajrore qëndron në Millosheviqin, pasi ai ka refuzuar që ta ndalojë dhunën në Kosovë dhe ka refuzuar të negociojë me qëllim të mirë. Ka ardhur koha për vepra. Më lejoni të theksoj: NATO nuk është duke bërë luftë kundër Jugosllavisë”, kishte thënë ai.

Solana mes tjerash kishte bërë të ditur se do të ndalohet katastrofa humanitare që po ndodhte në Kosovë dhe komuniteti ndërkombëtar e kishte detyrë morale këtë, përcjell Demokracia.com.

“Ne nuk kemi qëllim që të luftojmë me popullin e Jugosllavisë, të cilët për shumë kohë kanë qenë të izoluar për shkak të politikave të qeverisë së tyre. Veprimet tona janë vetëm kundër politikave të lidershipit jugosllav. Ne duhet ta ndalojmë dhunën dhe t’i japim fund katastrofës humanitare që po ndodhë në Kosovë. E kemi detyrë morale që ta bëjmë këtë”, kishte deklaruar Solana.

Në fund, sekretari i atëhershëm kishte siguruar se misionin po e kryejnë disa prej ushtarëve më të mirë në botë, përcjell Demokracia.com.

“Burrat dhe gratë në uniforma të NATO-s, të cilët po kryejnë misionin e rëndësishëm janë në mesin e më të mirëve në botë. Kam shumë besim që ata do të jenë të suksesshëm”, kishte thënë ai.

Sot mbushen 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që në atë kohë përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi./Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024