Lajme
Sogojeva tregon se a mund të ndalohet “TikTok-u” në Kosovë
Demokracia
12:56 | 25 Prill 2023

Share:

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2022.

Ndër shumë tema, ajo u pyet edhe për sigurinë e të dhënave në rrjete sociale, specifikisht në aplikacionin “TikTok”.

Deputeti i VV-së Dimal Basha, ka pyetur komisioneren në lidhje më aplikacionin dhe sigurinë e të dhënave të qytetarëve të Kosovës.

Basha theksoi se shumë shtete janë duke e ndaluar përdorimin e tij, pasi Kina është duke mbledhur të dhëna shtetërore përmes këtij aplikacioni.

“Amerika është duke e trajtuar në Kongres çështjen e TikTok-ut, sepse Kina grumbullon informata nga ky aplikacion. Kina nuk është miqësore me ne. Të gjitha të dhënat i transferohen Kinës, a keni ndërmarrë diçka dhe si duhet t’i adresohemi këtij problemi. Ku mbahen të dhënat e qytetarëve. A keni një propozim. Na mundemi me ndalu dhe mos ta përdorim fare”, pyeti ai.

Sugojeva tha se kjo është çështje e sigurisë kombëtare dhe nuk është vetëm përgjegjësi e Agjencisë, por se do të diskutojnë me institucionet e tjera.

Ajo theksoi se nuk kanë kontakt me zyrtarët e aplikacionit, teksa shtoi se edhe rrjeti social Facebook nuk po u kthen përgjigje.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku

“Ky duhet të jetë vendim zyrtar i shtetit. Për këto dy vjet operim në vazhdimësi jemi duke bërë fushata me i ndërgjegjësu, si qytetarët, si institucionet. Kjo është çështje e mbrojtjes kombëtare. Nuk kemi kontakt me ta, as Facebook nuk është duke kthyer përgjigje. Ta autorizosh dikë që të vijë këtu është problem. Të dhënat i mban atje ku e ka domenin. Për TikTok-un nuk është vetëm agjencia, do të ulemi bashkë dhe do të diskutojmë me institucionet e tjera, do t’i propozojmë Kuvendit. Ne nuk e kemi marrë formatin, Policia çdo ditë merret më këto çështje”, tha ajo.

Në Komision u diskutua edhe çështja e publikimit të listave të veteranëve, ku u kërkua që ata që kanë publikuar ato lista të dënohen.

Të ngjashme