Lajme
Socialist qe 50 vjet: Kush është Borrelli, kryediplomati evropian që s’po e duan eksponentët e LVV-së?
Demokracia
18:21 | 02 Korrik 2023

Share:

Asnjëherë s’u kanë bërë tamam qëndrimet e tij, e në veçanti në atë se vinte nga një shtet mosnjohës i Bashkimit Evropian siç është Spanja. Josep Borrell-it, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ekspontentë të pushtetit si Mefail Bajqinovci e Elvis Hoxha në raste, duke shpërthyer në mosdurim të thellë ndaj personit politik të tij, ia kanë lakuar, shtrembëruar e fyer edhe emrin si “Vorrell”.

Kohëve të fundit, në veçanti për shkak të denoncimeve që kulmuan edhe në masa ndëshkuese nga unioni evropian ndaj Kosovës, nga mbështetës (të ushqyer në ide) të Lëvizjes Vetëvendosje janë nisur edhe forma online peticioni për shkarkimin e Josep Borrell-it (edhe të ndërmjetësit special të BE-së, Miroslav Lajçaku).

Borrell, ka edhe një vit e disa muaj mandat si Përfaqësues i Lartë, por mbështetësve të LVV-së s’po u pritet, ose së paku 2 mijë e 666 prej tyre. 6 ditë që nga hapja e këtij peticioni, i bie që rreth 400 njerëz e kanë marrë mundin ta germëzojnë emrin në të.

Një përdorues me emrin Kreshnik Shala (s’dihet nëse është emër real i personit që e ka hapur) thuhet se “ka shqetësime të thella se…Borrell dhe Lajçak…kanë aftësitë….që paanshmërisht të ndërmjetësojnë bisedimet Kosovë-Serbi”.

Thuhet se me deklarimet e tyre, që të dy, “kanë kompromituar pozitat e tyre ndërmjetësues të paanshëm…Anshmëria e tyre ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleskandar Vuçiq, është manifestuar në deklarime dhe të thëna…”.

Një paramendim i tillë është ushqyer kryesisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili për ndërmjetësit e BE-së (edhe të ShBA-së) thotë se “po na vinë me qëndrime të Serbisë” ndërsa kërkon që të ketë “qasje më të balancuar” në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndonëse në atë marrëveshje që Kurti vetë e ka pranuar, avokuar dhe proklamuar si “të shkëlqyeshme” s’ka balanc përfitimesh, por më shumë përfiton Serbia ngase merr autonomi politike për komunitetin serb në Kosovë duke mos e njohur Kosovën.

Megjithatë, ndërmjetësit përbëjnë hallin e madh të pushtetit; dhe asnjë deri më sot s’e kanë gjetur që të gëzojë respektin e tyre, shkruan Nacionale.

Borrell megjithatë, befasishëm, është i familjes ideologjike të Kurtit. I të majtës. Qysh më 1975 ai ishte pjesë e Partisë Socialiste të Punës në Spanjë dhe edhe deri më sot i takon Partive të Socialistëve Evropianë, parti këto ku është anëtarësuar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe në kongreset e të cilave merr pjesë çdo vit dhe atë hiç më larg se më 14 tetor të vitit të kaluar. Në këtë trajtë, s’ke se si ti ndash.

“Në këtë kongres të partive socialdemokrate u diskutuan politikat në përgjigje të ndryshimeve në sigurinë ndërkombëtare, rritjes së çmimeve të energjisë dhe inflacionit, krizës së shkaktuar nga Covid, ndryshimeve klimatike dhe sfidave sociale në Evropë”, do të njoftonte Zyra e Kryeministrit.

Borrell me grupin e Partisë Socialiste Evropiane (PES) ka shërbeur edhe si udhëheqës i delegacionit spanjoll aty në një kohë.

Borell mes tjerash, është më i ngjashëm me Albin Kurtin edhe përtej politikës, duke qenë studiues i Matematikës në Universitetin prestigjioz të Stanford-it dhe si një politikan që asnjëherë s’është bërë i pasur. Madje edhe në aspektin e çështjes së Katalonisë i afrohen të së njëjtës mendje, Borrell duke qenë vetë katalanas.

Pas ardhjes së Pedro Sanchezit në pushtet në vitin 2018, Borrell ishte bërë ministër i tij i Punëve të Jashtme.

Por, në vitin 2019 ai më pas do të merrte detyrën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, e nga e cila ‘po kërkojnë’ ta heqin shumë simpatizantë të Vetëvendosjes.

Të ngjashme