Zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti kanë nxjerr në dritë shumë përçarje e mungesë demokracie në këtë parti. Vetëm brenda pak ditësh, disa aktivistë saj dhanë dorëheqje ose u eliminuan nga gara për zgjedhjet e brendshme.
Largimet nga Vetëvendosje kanë vazhduar edhe sot. Gjatë ditës së sotme ka dhënë dorëheqje edhe asamblisti më i votuar i kësaj partie në Lipjan, Fitim Mëziu, shkruan Demokracia.com.
Ai e bëri të ditur largimin edhe përmes një postimi në Facebook, ku tha se do të vazhdojë të jetë anëtar i pavarur i Kuvendit Komunal.
“Ju njoftoj që nga sot unë nuk do te jem pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Si Anëtar i Kuvendit Komunal në Lipjan do të jem i pavarur dhe jo në grupin e Asambleistëve te LVV. Kur qëllimi për të cilin je i angazhuar nuk është qëllim për të gjithë aty ske ardhmëri. Shëndeti dhe mirëqenia janë fusha për të cilat do të angazhohem si Asamblist i Pavarur nga votat e jauaja qytetar të nderuar”, ka shkruar ai.
Meziu la të nënkuptohet se ka dalë i zhgënjyer nga LVV-ja, pasi që në këtë parti, sipas tij, ka shumë padrejtësi.
“Në zgjedhjet lokale ju bashkova ekipit të Lëvizjes Vetëvendosje duke besuar e shpresuar në një organizim të mirëfillt brenda saj. Nga ato zgjedhje unë dola si kandidati më i votuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal. Me kalimin e kohës unë pashë padrejtësi të mëdha që u bëheshin aktivistëve me shume kontribut”, tha ky anëtar i Kuvendit Komunal të Lipjanit.
Në postimin e tij, ai ka vazhduar të shprehet ashpër ndaj LVV-së, duke thënë se aty nuk mund të gjesh demokraci dhe është parti që bën pazare politike.
“Pashë e dëgjova shumë gjëra që nuk do të besoja qe ekzistonin brenda këtij subjekti në Lipjan. Nuk isha i pajtimit që brenda këtij subjekti vinin figura politike që kanë luajtur me dy karta. Sidomos aderimi i fundit, ishte një figurë që ka gëzuar të gjitha privilegjet nga qeverisja lokale, dhe vetëm atëher kur nuk gjeti vend në ekzekutivin lokal të këtij mandati në Lipjan, erdhi në LVV dhe bëri pazare politike, ku ende pa kaluar 10 ditë nga aderimi, bashkëshorti i saj avancohet në burgun e Lipjanit”, pohoi ai.
Se ai është asamblisti më i votuar e tregon edhe rezultati i publikuar në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, bartësi i listës apo numri 1 i subjektit politik nuk është pjesë e garës, pasi që çdo votë për subjektin llogaritet edhe votë për të. Kandidatët e tjerë, duke filluar nga numri 2, janë pjesë e drejtpërdrejtë e garës, sepse duhet të votohen nga votuesi.
Sipas ligjit aktual, kandidatët e zgjedhjeve lokale e kanë shumë më të vështirë të sigurojnë numër të madh të votave në krahasim me kandidatët për deputetë të Kuvendit, pasi një votues mund të votojë vetëm për një kandidat për asamble, ndërkaq në zgjedhjet për Kuvend një votues mund të votojë deri në 5 kandidatë. /Demokracia.com/