Lajme
Slobodna Bosna: Një nga njerëzit kryesor të Putinit në Serbi nuk i pëlqen vetë Aleksandar Vuçiqit
Demokracia
08:01 | 07 Nëntor 2023

Share:

Ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se vendimin për dorëheqje e ka marrë në mënyrë të pavarur, sepse besonte se “nuk ka të drejtë të sakrifikojë Serbinë për të mbetur në atë pozitë”.

Vulin ka theksuar se me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka biseduar për gjithçka dhe se vendimin Vuçiq ia ka lënë atij, duke shtuar se nuk ka asnjë konflikt mes tij dhe Vuçiqit, shkruan Slobodna Bosna.

“Kam një vit që nuk kam performuar publikisht, sepse drejtori i Agjencisë së Sigurisë nuk mund dhe nuk duhet ta bëjë këtë, por tani mund të bëj reklamë. Që në ditën e parë që u emërova si shef, filluan presionet. Unë vendosa të jap dorëheqjen, jo presidenti Vuçiq”, tha Vulin.

Kujtojmë se Vulin u vendos në listën e personave nën sanksione të administratës amerikane për, siç thuhet, “përfshirje në krim të organizuar transnacional, operacione të paligjshme lidhur me narkotikët dhe shpërdorim të detyrës publike”.

Për më tepër, autoritetet amerikane pretendojnë se Vulin ka abuzuar me detyrën e tij publike dhe ka ndihmuar tregtarin e armëve Slobodan Teshiq “në mënyrë që dërgesat e tij të paligjshme të armëve të transportoheshin përtej kufijve të Serbisë dhe t’i ofronin Rusisë një platformë për ndikim të mëtejshëm, keqdashës në rajon”.

“Presidenti Vuçiq dhe unë nuk mendojmë njësoj për gjithçka, por jemi dakord që Serbia duhet të jetë sovrane, neutrale dhe se duhet të ruajë marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe Kinën dhe të ruajë Republikën Srpska”, tha Vulin për TV Pink, transmeton Fena.

Vuçiq ka deklaruar më parë se ndaj Aleksandar Vulin sanksionet nuk janë vendosur për shkak të ndonjë krimi apo korrupsioni, por, siç pretendon ai, për shkak të marrëdhënieve të tij me Rusinë.

Mediat serbe raportuan më parë se Vulin njihet si një nga njerëzit kryesorë të Putinit në Serbi, gjë që dyshohet se nuk i pëlqen vetë Vuçiqit.

Në një komunikatë për media, Vulin tha se “SHBA dhe BE po kërkonin kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.

Dorëheqja e Vulin u kërkua edhe nga pjesëmarrësit e protestave “Serbia kundër dhunës” që po zhvillohen në të gjithë Serbinë, të nxitura nga vrasja e nëntë nxënësve dhe një roje sigurie në një shkollë fillore të Beogradit dhe tetë të rinjve në dy fshatra afër Beogradit disa ditë më vonë.

 

Të ngjashme