Sport
Slavia Praha me dy mungesa të mëdha kundër Ballkanit
Demokracia
18:50 | 26 Tetor 2022

Share:

Trajneri i Slavia Prahës, Jindřich Trpišovský ka folur sot në një konferencë për media në prag të ndeshjes kundër Ballkanit në Ligën e Konferencës.

Trpišovský ndër tjerash ka konfirmuar edhe dy mungesat e rëndësishme për duelin e të enjtes mbrëma.

Jakub Hromada dhe Vaclav Jurecka janë dy futbollistët të cilët nuk do mund të kontribuojnë për ekipin çek në sfidën vendimtare për fatin e grupit, raporton Demokracia.com.

“Më vjen shumë keq pas një ndeshje të tillë dhe paraqitjeve që po tregojnë. Është një disavantazh i madh të mos i kemi ata për një ndeshje evropiane jashtë fushe. E vetmja pozitive është se ata do të pushojnë për ligën dhe nuk do të duhet të udhëtojnë kështu që do të jenë gati. Por në gjendjen aktuale shpirtërore, na vjen shumë keq. Nga ana tjetër, kemi mjaft lojtarë që mund t’i zëvendësojmë dhe ndeshja dhe kundërshtari do të jenë krejtësisht ndryshe. Ata luajnë një stil tjetër futbolli. Krahasuar me ndeshjen e së dielës, ata nuk janë aq të pajisur fizikisht, luajnë nga një bllok më i madh, lënë dy-tre lojtarë lart pasi kanë humbur topin”, tha Trpišovský në konferencë, njoftoi klubi.

Mesfushori defanziv Hromada ka zhvilluar tetë ndeshje këtë edicion dhe ka realizuar një gol. Ai vlen një milion e gjysmë, bazuar në të dhënat e sajtit “transfermarkt.com”.

Jurecka, qendërsulmuesi i Slavias që do të mungojë ndaj kampionëve të Kosovës ka dy gola e dy asistime në tetë ndeshje. Vlera e tij në treg është një milion euro.

Ballkani dhe Slavia Praha do të sfidohen të enjten mbrëma me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të rrethit të pestë të Grupit G.

Ballkani ka katër pikë në pozitën e fundit në grup, po aq sa Slavia Praha një vend më lart në tabelë.

Sivasspori është lider me shtatë pikë. Shtatë ka edhe Cluj por me goldallim më të dobët./Demokracia.com/

Të ngjashme